
Kryeministri Kurti takoi ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Schnetzer.
“Teksa vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe te mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën, dhe ai i ofroi ambasadorit bashkëpunim të afërt në thellim të mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë”- thuhet në komunikatë.
Tutje sipas komunikatës, Kurti e ka falënderuar Austrinë për mbështetjen në rrafshin e sigurisë me mbi 600 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për 14 programet e Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndër to ajo në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku Qeveria këtë vit e ka çuar në 12 numrin total të profileve të arsimit dual bazuar në modelin “Ausbildung” nga katër sa ishin në vitin e kaluar.
Ndërsa, ambasadori Schnetzer ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen që e ka pasur në Kosovë.
Në takiom u bisedua për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.
Sipas komunikatës, eksportet e Kosovës në drejtim të Austrisë sivjet janë rritur për 71.7% , kurse ato të shërbimeve për 120% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet direkte nga Austria në Kosovë në dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje për 11.6%.
Në takim sipas komunikatës është biseduar edhe për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.
George Schnetzer ka marrë detyrën e ambasadorit të Austrisë që nga muaji gusht.