Kryeministri Kurti pjesë e panelit e Forumit Ekonomik Botëror në Davos

Të mërkurë në mëngjes, me 25 maj, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri Albin Kurti merr pjesë në tryezën “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili nuk ka dhënë detaje se kush do të jetë pjesëmarrës tjetër në këtë panel.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se në këtë panel pritet të jetë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Një tryezë e tillë e diskutimit nuk është publike në agjendën e Forumit Ekonomik në Davos.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se është duke qëndruar për tu takuar me lider evropian dhe botëror.

“Sot shumë takime joformale me liderët evropianë dhe botërorë, dominon tema ukrainase dhe është e imja të luftoj për interesat e Serbisë, të kërkoj aleatë për vendin tonë dhe zgjidhje për krizën më të madhe që goditi Evropën pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Vuçiq në instagram.

Dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka udhëtuar nga SHBA për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos/Klosters.