Kryeministri Kurti demanton zëdhënësin e qeverisë: Nuk është ndaluar qarkullimi i veturave e targa të Serbisë

Dje, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policor në zonën kufitare në veriun e vendit, Leposaviq, niveli i gatishmërisë u ngritë tek organet e rendit.

Në një deklarim për media, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se është ndaluar hyrja e veturave me targa të Serbisë në territorin e vendit.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu për Radio Evropën e Lirë.

Por, një ditë pas, kryeministri Albin Kurti tha se nuk bëhet fjalë për ndalim të hyrjes së veturave me targa serbe në Kosovë. Ai tha se janë rritur kontrollet e sigurisë.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë nuk janë masa ekonomiko-tragtare por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për ne është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia, nganjëherë në rrugë ilegale e është e mundshme edhe në vend-kalimet kufitare” – tha ai.

“Prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër” – deklaroi Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit Kombëtarë të Sigurisë.