KRU Prishtina i lut qytetarët ta kursejnë ujin dhe t’i paguajnë shërbimet

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë apel qytetarëve që të kursejnë ujin dhe të mos e shfrytëzojnë në mënyrë të pakontrolluar.

Përmes një komunikate për media, KRU “Prishtina” ka njoftuar se niveli i ujit në liqenet e Badocit dhe Batllavës është nën mesatare.

“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 9.11 metra nën pikën maksimale të kapërderdhjes ose, 625.89 metra mbi nivelin e detit ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është minus 9.20 metra nën nivelin maksimal ose, 640.63 metra mbi nivelin e detit”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtina.

Gjithashtu, po përmes kësaj komunikate, kjo kompani ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të jenë sa më të rregullt me pagesat mujore të tarifës së ujit, dersia ka shtuar se në të kundërtën do të ketë ndëshkime.

“Çdo pagesë që ju e bëni për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, do të iu kthehet në investime afatgjate duke e përmirësuar në vazhdimësi çdo shërbim që ndërlidhet me ujin dhe kanalizimin”, thuhet në komunikatën e KRU Prishtina.

Për fund, kjo kompani u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast se kanë ndonjë ankesë në shërbim, t’i deponojnë ato.