(Arkiv) Kryeministri Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kriza në veri, Kurti: Janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me shtetin serb.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës po e lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikës për deshpërkallëzim, deaskalim dhe normalizim” – tha Kurti para gazetarëve.

“Për këto arsye, organet tona të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese” – deklaroi ai.

Ai ka thënë se veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve që do të bëhen nga institucionet e sigurisë.

“Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia na detyron që të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet të institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet  kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo nuk mund të garantohet siguria” – ka thënë Kurti.

“Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse. Synimi ynë është siguria, e siguria fillon të kufijtë. Në kërkojmë lirimin e tre zyrtarëve policor dhe u bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë presion mbi Beogradin zyrtarë” – tha ai.

Policia: Kidnapohen tre policë nga forcat serbe