Kreshnik Gashi: Nëse presidentja nuk i beson prokurorisë, ku duhet t’i deponojmë rastet?

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com i ka konsideruar të pamatura deklaratat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka pretenduar se është kërcënuar lidhur me dekretimin e kryeprokurorit të vendit.

Në emisionin “Debat Plus”, Gashi ka komentuar edhe deklarëtën e presidentes Osmani, e cila të martën deklaroi se nuk i ka deponuar në organet e drejtësisë, kërcënimet që tha se i kishte pranuar.

“Presidentja nuk e ka gjetur asnjë prokuror me e denoncu një rast të kërcënimit të saj. Deklarata të tilla të pamatura i kushtojnë shumë këtij vendi dhe të tilla deklarata e kanë maru edhe Gjykatën Speciale” – tha mes tjerash Gashi në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Sipas tij, deklarata të tilla krijojnë pasiguri juridike dhe çojnë sinjal te kushdo që dëshiron të denoncojë një krim a korrupsion.

“…Për shkak që presidentja nuk po i besojka prokurorisë, ku duhet me i çu na rastet, te Dejona Mihajli, te njerëzit e partisë…?” – vazhdoi ai.

Gashi ngriti edhe një çështje tjetër lidhur me kërcënimet e pretenduara. Ai tha se sipas dokumenteve, presidentja ka mbajtur takim vetëm me dy njerëz nga sistemi prokurorial, me Jetish Malokun dhe me Besim Kelmendin.

“Në letra, kështu ka thanë, nëse ka mbajt takime, jashtë protokollit për këtë çështje, ku s’ka shënime, atëherë presidentja duhet me na dhanë sqarime pse ato nuk janë në këtë letër, me kënd tjetër është konsultu” – deklaroi Kreshnik Gashi.

Lidhur me procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, Gashi tha se procedura ka pasur shumë shkelje, por për këtë procedurë nuk ka faj kandidati për kryeprokuror, Blerim Isufaj.

Ai e quajti shqetësues faktin që Këshilli Prokurorial vazhdon t’i qëndrojë prapa gabimit që sipas tij është fatal, por duhet t’i thërrasë mendjes dhe të reflektojë për ta përmirësuar atë.

“Nuk mundesh me pas proces të mirë të përzgjedhjes së kryeprokurorit, kur ti një kandidati për të njëjtën përgjigje ia ke dhanë tri pikë, e tjetrit dy. Ose kur një kandidat e ke pyet për të kaluarën e tij, e një tjetri i ke thënë fol diçka për të kaluarën tënde, kur një kandidat e ke sfidu e tjetrin jo” – tha ai.

Presidentja Osmani, dje në një konferencë për media njoftoi se nuk do ta bëjë dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit dhe foli edhe për disa kërcënime që thotë se ajo i ka marrë nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Këtë mosdekretim, Presidentja po e arsyeton në shkeljet masive, që thotë se janë evidentuar në proces.

Këshilli Prokurorial, i ka etiketuar këto deklarata si politike, tendencioze e të pa bazuara, asesi si deklarata kushtetuese e ligjore.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Për të garantuar transparencë të procesit, KPK garantoi monitorim nga shoqëria civile ndërsa koncept-dokumentet e kandidatëve u publikuan në ueb-faqe dhe intervistat u transmetuan në televizionin publik.

Sipas BIRN, në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Transparenca e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit “tregoi shumëçka, por nuk tregoi çështjen kryesore”, pasi procesi u mbyll për publikun dhe monitoruesit në fazën e tij finale –  në momentin kur antarët kryen vlerësimin (poentimin) e kandidatëve dhe erdhi momenti i kumtimit të rezultateve.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit 

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë kishte reaguar pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit në janar të 2022-ës.

Kjo ambasadë kishte thënë se i ka ofruar mbështetje KPK-së në rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit por që KPK e ka shpallur konkursin pa iu kthyer përgjigje dhe pa mbështetje të Ambasadës.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).  Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ndaj këtij reagimi të Ambasadës së Britanisë kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

KPK në reagimin e saj kishte theksuar se në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparent procesi.

KPK në reagim kishte theksuar se i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”, thuhej në regimin e KPK-së.