Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Krerët e institucioneve e cilësojnë përparim të madh kalimin e hapit të parë drejt anëtarësimit në Këshill të Europës

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar të suksesshëm votimin në Komitetin për Çështje Politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”- ka shkruar ajo në rrjetin social X.

Edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e ka cilësuar përparim të madh të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në institucionet e BE-së.

“Vendimi i sotëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është përparim i madh në rrugën drejt integrimit të plotë të Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian. Punuam shumë për këtë bashkë me shumë miq. Falënderojmë të gjithë ata që e bënë të mundur këtë. Tani shpresojmë për konfirmimin në prill nga kjo asamble” –  ka shkruar ajo në platformën “X”.

Këshilli i Europës ka njoftuar që më 18 prill do të mbahet debati plenar për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës njoftuan që më 31 vota për dhe 4 kundër u votua në favor të Kosovës në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.

Për këtë zhvillim në Paris të Francës ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke thënë që opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. 

 “Kosova kalon suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE. Opinioni rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë”- ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

(Shënim: Artikulli është edituar në pjesën ku flet për numrin e votave nga 34 me 1, në 31 me 4. Koha e editimit 27.03.2024 ora 19:47)