Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ tregon sa nënshkrime duhen për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kthyer përgjigje tek kryesuesit e Kuvendeve Komunale në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok rreth nismave për shkarkimin e kryetarëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se KQZ ka njoftuar kryetarët e Kuvendeve Komunale, tri grupet nismëtare dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal se anëtarët e grupeve nismëtare, nga tre për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse.

KQZ po ashtu ka njoftuar se edhe mbi numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, në bazë të të cilit përllogaritet numri minimal i nënshkrimeve prej 20%.

“Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është 13,441. Nga ky numër, 2,689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6,732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1,347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, shkruan Elezi.

Elezi në një konferencë për media ka treguar se nga Komuna e Zveçanit, KQZ nuk ka pranuar kërkesë të tillë si nga komunat tjera. Ai shton se kryesuesja e Kuvendit Komunal të Zveçanit i ka lajmëruar se kërkesa që është parashtruar atje është refuzuar.