KQZ miraton udhëzimin për masat mbrojtëse kundër COVID-19 në zgjedhjet e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës ka miratuar udhëzimin administrativ për masat mbrojtëse nga COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

“Qëllimi i këtij udhëzimi është: përcaktimi i masave mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në hapësirat ku mbahen zgjedhjet; përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime; dhe përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë dorëzimit dhe pranimit të materialit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas këtij manuali gjatë ditës së zgjedhjeve të gjithë personat e pranishëm  në hapësirat e vendvotimeve dhe hapësirat e KKZ-së janë të obliguar të vendosin maskën dhe të respektojnë distancën.

Gjithashtu çdo vendvotim e tavolinë ndihmëse do të pajiset me “gel’ dhe sprej dezinfektues.

Këtu mund ta lexoni, MANUALIN.

Në mbledhjen e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar udhëzimin për votimin e personave të cilët për shkak të testit pozitiv me COVID-19 gjenden në karantinë. 

Në lidhje me këtë  KQZ-ja ka miratuar edhe afatin për identifikimin dhe konfirmimin për votuesit nga kjo kategori. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat është nga data 15 nëntor deri më 26 nëntor 2020.