KPM pezullon Draft-Kodin e Etikës që censuronte raportimin nga gjykata

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) e ka pezulluar procesin e plotësim-ndryshimit të Kodit të Etikës për radiot dhe televizionet në Kosovë.

Kjo ka ndodhur për shkak të komenteve që kanë dërguar palët e interesit në lidhje me disa nene të këtij Kodi të KPM-së, për të cilat është pretenduar se e pengojnë punën e mediave.

Vendimi për pezullim, i marrë sot nga KPM, do të jetë në fuqi deri sa të analizohen komentet e palëve dhe të ri-vlerësohen propozim ndryshimet.

BIRN dhe Internews Kosova dhe AMPEK janë organizatat e vetme që në dhjetor të vitit 2019, duke vepruar sipas ftesës publike të shpallur nga KPM, kanë dërguar komente në Draft Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.

Në letër BIRN dhe Internews Kosova si dy organizata të fokusuara në zhvillimin dhe promovimin e standardeve më të larta që promovojnë lirinë e shprehjes dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon veprimtarinë e mediave, shprehin shqetësimin e thellë në lidhje me përmbajtjen e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.

Draft Kodi ka paraparë masa të cilat nuk lejojnë raportimin nga proceset gjyqësore duke kërkuar që raportimi të kryhet vetëm pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar.

Organizatat konsiderojnë që një normë e tillë është kundër parimeve të publicitetit dhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM) nuk ka mandat ligjor të krijojë rregulla  të cilat kufizojnë të drejtat kushtetuese dhe parimet e procedurës penale përfshirë këtu rregulloret e ndërtuara nga Këshilli Gjyqësor të cilat garantojnë transparencë të sistemit të drejtësisë.

Pasi kanë analizuar në detaje përmbajtjen e Draft Kodit, BIRN dhe Internews Kosova  kanë evidentuar mangësi serioze që cungojnë të drejtat e mediave dhe shkelin rëndë parimet e vendosura me disa ligje dhe më 30 dhjetor të vitit të kaluar kanë dorëzuar 12 komente në Draft Kodin e propozuar nga KPM.

Analiza e BIRN dhe Internews Kosova ka evidentuar të paktën 12 ndryshime që duhet të bëhen në përmbajtjen e këtij Draft Kodi me qëllim të garantimit të lirisë së mediave dhe raportimit të papenguar të çështjeve që përbëjnë interes të publikut.

Ndër mangësitë e evidentuara, më shqetësueset janë përmbajtja e paragrafit 6 të nenit 7 të Kodit që rregullon raportimin në lidhje me të drejtat individuale.

Programet që kanë qëllim të keq, përmbajnë kriticizëm të padrejtë apo sulm në një person fizik apo juridik, janë të ndaluara”, përcaktohet në nenin 7 të Draft Kodit.

Akoma më shqetësues është konsideruar edhe paragrafi 11 i këtij neni që cungon në mënyrë absolute raportimin nga rastet gjyqësore duke shkelur lirinë e mediave, duke shkelur parimin e publicitetit të procedurës gjyqësore dhe duke injoruar në tërësi interesin publik dhe të drejtën e publikut në lidhje me çështjet e administrimit dhe menaxhimit të drejtësisë dhe procedimit të rasteve gjyqësore.

“OSHMA-ve nuk ju lejohet të japin emrat, përshkrimin, pamjet, ngjashmëritë ose informatat specifike të ndonjë individi që gjoja ka kryer një krim, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përveç nëse për shkaqe të sigurisë publike një gjë e tillë kërkohet nga organet e rendit në rastet e ndjekjes së personave të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme”.

Kundër këtij draft-Kodi të Etikës kishte reaguar edhe AGK.

Më poshtë gjeni reagimin e BIRN dhe I/KS për draft-Kodin e Etikës së KPM-së.

BIRN dhe I/KS: Draft Kodi i Etikës së KPM-së shkel parimet kushtetuese

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).