BIRN dhe I/KS: Draft Kodi i Etikës së KPM-së shkel parimet kushtetuese
BIRN dhe Internews Kosova si dy organizata të fokusuara në zhvillimin dhe promovimin e standardeve më të larta që promovojnë lirinë e shprehjes dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon veprimtarinë e mediave, shprehin shqetësimin e thellë në lidhje me përmbajtjen e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.
Draft Kodi ka paraparë masa të cilat nuk lejojnë raportimin nga proceset gjyqësore duke kërkuar që raportimi të kryhet vetëm pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar.
Organizatat konsiderojnë që një normë e tillë është kundër parimeve të publicitetit dhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM) nuk ka mandat ligjor të krijojë rregulla të cilat kufizojnë të drejtat kushtetuese dhe parimet e procedurës penale përfshirë këtu rregulloret e ndërtuara nga Këshilli Gjyqësor të cilat garantojnë transparencë të sistemit të drejtësisë.
BIRN dhe Internews Kosova janë organizatat e vetme që në dhjetor të vitit 2019, duke vepruar sipas ftesës publike të shpallur nga KPM, kanë dërguar komente në Draft Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.
Pasi kanë analizuar në detaje përmbajtjen e Draft Kodit, BIRN dhe Internews Kosova kanë evidentuar mangësi serioze që cungojnë të drejtat e mediave dhe shkelin rëndë parimet e vendosura me disa ligje dhe më 30 dhjetor të vitit të kaluar kanë dorëzuar 12 komente në Draft Kodin e propozuar nga KPM.
Rekomandimet e BIRN dhe Internews Kosova adresojnë çështje që kanë të bëjnë me përmbajtjen e Kodit të Etikës aktual të KPM-së dhe Draft Kodit që është propozuar.
Në vend se të korrigjohet përmbajtja në disa vende absurde e Kodit aktual të Etikës, përmbajta e Draft Kodit të ri vetëm se është bërë edhe më absurde dhe cenuese ndaj lirisë së mediave.
Analiza e BIRN dhe Internews Kosova ka evidentuar të paktën 12 ndryshime që duhet të bëhen në përmbajtjen e këtij Draft Kodi me qëllim të garantimit të lirisë së mediave dhe raportimit të papenguar të çështjeve që përbëjnë interes të publikut.
Ndër mangësitë e evidentuara, më shqetësueset janë përmbajtja e paragrafit 6 të nenit 7 të Kodit që rregullon raportimin në lidhje me të drejtat individuale.
“Programet që kanë qëllim të keq, përmbajnë kriticizëm të padrejtë apo sulm në një person fizik apo juridik, janë të ndaluara”, përcaktohet në nenin 7 të Draft Kodit.
Ky përkufizim kaq asbtrakt dhe kaq absurd është edhe në Kodin aktual të Etikës dhe lë hapësirë për keqpërdorim dhe kufizim të lirisë së media. Ky paragraf përpos që ndalon një kategori të quajtur “kriticizëm i padrejtë”, nuk jep absolutisht asnjë lloj kriteri apo udhëzimi në bazë të të cilit do të identifikohet se çka është kriticizëm i padrejtë, si përcaktohet, si matet intensiteti i kriticizmit të padrejtë dhe cilat janë elementet dalluese të kriticizmit të padrejtë.
Si përkufizim i tillë, i shtron rrugë keqpërdorimit dhe kufizimit të lirisë se mediave dhe lirisë së shprehjes e drejtë kjo e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Akoma më shqetësues është edhe paragrafi 11 i këtij neni që cungon në mënyrë absolute raportimin nga rastet gjyqësore duke shkelur lirinë e mediave, duke shkelur parimin e publicitetit të procedurës gjyqësore dhe duke injoruar në tërësi interesin publik dhe të drejtën e publikut në lidhje me çështjet e administrimit dhe menaxhimit të drejtësisë dhe procedimit të rasteve gjyqësore.
“OSHMA-ve nuk ju lejohet të japin emrat, përshkrimin, pamjet, ngjashmëritë ose informatat specifike të ndonjë individi që gjoja ka kryer një krim, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përveç nëse për shkaqe të sigurisë publike një gjë e tillë kërkohet nga organet e rendit në rastet e ndjekjes së personave të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme”.
BIRN dhe Internews Kosova i rikujtojnë KPM-së se nuk ka mandat të ndryshojë parimet e rregulluara me Kushtetutë dhe me Kodin Penal të Kosovës dhe rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për filmimin brenda seancave gjyqësore.
Përkufizimi i tillë është i padëgjuar, i pashembullt në vendet demokratike, cenues i të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare dhe më qartazi në kundërshtim me përcaktimet e disa ligjeve në zbatim në Republikën e Kosovës.
Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e mediave, ndalon censurën dhe ndalon çfarëdo pengese në lidhje me shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave.
Po ashtu, neni 40 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes dhe lirinë për të marrë informacione pa u penguar nga askush.
Tentimi për të ndaluar mediat nga shpërndarja e informacionit, përshkrimit, në lidhje me personat e dyshuar/akuzuar për vepra penale, në mënyrë të qartë bie ndesh me të paktën këto dy të drejta të garantuara me Kushtetutën e vendit.
Për më tepër, ky përkufizim i këtij kodi bie ndesh me Parimin e Publicitetit të Procedurës Penale të paraparë me nenin 293 të Kodit të Procedurës Penale dhe gjithashtu me nenin 301 të këtij Kodi që rregullon mënyrën e fotografimit dhe xhirimit të seancave gjyqësore.
“Shqyrtimi gjyqësor është i hapur”, përcaktohet në nenin 293 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo rregullore e nxjerrë nga organi më i lartë i drejtësisë assesi nuk e ndalon raportimin nga gjykata siç synon ta bëjë Draft Kodi i propozuar.
BIRN dhe Internews Kosova i rikujtojnë KPM-së se është gjykatësi i çështjes ai i cili në nisje të çdo procesi gjyqësor nxjerr një vendim mbi publicitetin e procesit dhe rrjedhimisht aty merret një vendim mbi publicitetin e emrave mbiemrave e të dhënat të tjera të personave të përfshirë në proces gjyqësor përfshirë pamjet dhe fotografitë.
I rikujtojmë KPM-së se kompetenca për të mbuluar të dhëna dhe ndaluar publikimin e të dhënave nga proceset gjyqësore, sipas Kodit të Procedurës Penale, i përket vetëm gjykatësit të çështjes i cili me aktvendim të veçantë mund ta kufizojë parimin e publicitetit.
Tentimi për të parandaluar dhënien e informacionit në lidhje me personat e dyshuar/akuzuar për vepër penale deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor është ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe privon publikun nga informimi i drejtë dhe objektiv në lidhje me identitetin e personave që akuzohen dhe gjykohen, ndër të tjera – për korrupsion dhe krim të organizuar, keqpërdorim të parasë publike, për terrorizëm dhe të gjitha veprat tjera për të cilat interesi publik për informim është i qartë dhe i pakontestueshëm.
Është absolutisht e drejtë e KPM-së që të kërkojë raportim profesional dhe objektiv nga seancat gjyqësore në përputhje me standardet më të larta të etikës duke kërkuar pasqyrim objektiv të seancave gjyqësore, duke kërkuar dhe përcaktuar respektim të privatësisë siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të kërkojë respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë duke raportuar pa paragjykuar epilogun final të rasteve deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor, por assesi dhe asnjëherë nuk mund të ndalohet informacioni që identifikon dhe përshkruan të akuzuarit për vepra penale deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
I rikujtojmë KPM-së se procese gjyqësore në botë përfshirë ato të ICTY dhe Gjykatës Speciale do jenë në transmetime direkte për shkak të rëndësisë së madhe të tyre për publikun.
Ngjashëm edhe procese të tjera gjyqësore në Kosovë janë lejuar të transmetohen direkt me vendime të gjykatave për shkak të rëndësisë së lartë.
Përveç këtyre dy paragrafëve, ky Draft Kod i KPM-së ka probleme edhe në lidhje me përcaktimet që rregullojnë transmetimin e drejtpërdrejtë dhe veprimet që duhet të ndërmerren për të siguruar rregullsinë e këtyre transmetimeve, ka probleme në përcaktimin e mënyrës së menaxhimit dhe transmetimit të bisedave telefonike dhe xhirimeve pa e njoftuar palën dhe disa probleme tjera serioze që duhet të evitohen gjatë procedurës së nxjerrës së këtij Kodi.
BIRN dhe Internews Kosova, përveç dorëzimit të komenteve që identifikojnë probleme dhe ofrojnë zgjidhje në lidhje me përmbajtjen e Draft Kodit, janë zotuar të marrim pjesë në të gjitha diskutimet dhe punimet që do të mbahen në lidhje me nxjerrjen e këtij Kodi.
BIRN dhe I/KS ftojnë KPM-në që të organizojë debat publik dhe të evitojë shkeljet e parimeve kushtetuese para miratimit të këtij kodi.
Duke qenë të prekur direkt nga ky kod, BIRN dhe I/KS paralajmërojnë KPM-në që në rast të shkeljes së parimeve kushtetuese dy organizatat do t’i drejtohen menjëherë autoriteteve për të ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
BIRN dhe I/KS poashtu u bëjnë thirrje mekanizmave ndërkombëtarë veçanërisht donatorëve të cilët kanë investuar para dhe personel për të rritur transparencën e sistemit të drejtësisë të reagojnë lidhur me këtë situatë të krijuar.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).