Pamje nga aktivitetet për Ukrainën. Foto: KALLXO.com.

Kosova lavdërohet për rreshtimin krah Ukrainës kundër agresionit rus

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada gjermane në Kosovë kanë mbajtur sonte një aktivitet solidarizues me popullin ukrainas, në njëvjetorin e fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

Përmes këtij aktiviteti që u mbajt në Kino ARMATA në Prishtinë u përçuan mesazhe paqeje e solidariteti me popullin e Ukrainës, i cili siç u tha gjatë këtij aktiviteti, nuk po lufton vetëm për vete, por për mbrojtjen e vlerave botërore demokratike.  Për të pasqyruar tmerrin që po përjeton populli ukrainas gjatë luftës është shfaqur edhe filmi “Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha gjatë fjalës së tij se në njëvjetorin e fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës bota është më e bashkuar se kurrë dhe kjo, sipas tij, vërehet me solidaritetin e treguar me popullin ukrainas.

“Ukrainasit nuk po luftojnë vetëm për vete, por edhe për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja që ne jemi këtu. Çdo ditë ukrainasit japin jetën edhe për mbrojtjen e lirive tona dhe kjo meriton respektin tonë më të madh”- tha ambasadori Rohde.

Rohde lavdëroi Kosovën për mbështetjen e popullit ukrainas.

Lëvdata për Kosovën dhe rreshtimin krah demokracive botërore për të kundërshtuar agresion rus ndaj Ukrainës dha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomash Syzjong.

“Ukrainasit kanë të drejtë ta mbrojnë vetëm dhe krimet dhe masakrat që po kryhen kundër popullit ukrainas nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar” -tha ia ndër të tjera.

Ndërsa Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, tha se populli i Kosovës e ndjen më së miri atë çfarë po përjeton populli ukrainas. “Ne jemi solidarizuar me popullit ukrainas dhe duhet të punojmë së bashku deri sa Ukraina të çlirohet”- tha zv.ministrja Gashi.

Ndërsa gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, tha se ndihet e lumtur pasi Ukraina dhe populli i saj kanë një mbështetje kaq të fuqishme në botë.

“Ky solidaritet dhe kjo mbështetje do të ndihmojë Ukrainën  të fitojë dhe janë  krenare që janë në gjendje të ndihmojë këtë fitore nga Prishtina. Mendoj se kolegët e mi, përfituesit e programit për gazetarët në Kosovë e ndajnë këtë mendim. Ne i jemi mirënjohës qytetarëve të Kosovës dhe popullit gjerman për këtë mundësi”- tha gazetarja ukrainase Lyudmila Makey.

Në fund është shfaqur filmi “Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”, i cili pasqyron vështirësitë dhe tmerret me të cilat po përballen fëmijët në një jetimore në Ukrainën Lindore.

Gjatë gjithë ditës së sotme në mbarë vendin janë mbajtur aktivitete në mbështetje dhe solidarizim me Ukrainën.

Sot u bë një vit kur Rusia e nisi sulmin ushtarak kundër Ukrainës.