Foto: MPJD
Kosova e përçon qëndrimin e saj për dialogun përmes notës verbale
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se u ka nisur notë verbale disa vendeve lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Megjithatë, ministria nuk ka dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e letrës, duke thënë se nuk mund ta komentojë.
Nota verbale nënkupton komunikim diplomatik mes dy qeverive përmes përfaqësuesve diplomatikë të njëra-tjetrës.
Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar më 14 shtator.
Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka thënë më pas mediave se ndërmjetësuesi i dialogut Mirosllav Lajçak ka marrë pozicion të njëanshëm, në përputhje me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai, po ashtu, ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”.
Bashkimi Evropian i ka quajtur deklarata e Kurtit si “akuza të pabaza”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenier më 20 shtator.
Ai e ka shfaqur shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.
Nëse nuk e bën këtë, Hovenier ka thënë se do të ketë pasoja.
“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”.
Ambasadori amerikan ka thënë, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. REL