Kosova dhe Shqipëria nisin diskutimet për t’i njohur provimet e jurisprudencës

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë marrë vesh sot për të hartuar një marrëveshje për njohjen dhe zbatimin e dënimeve alternative.

Ministrja e Drejtësisë ka njoftuar se tashmë për këtë çështje janë marrë tri nisma.

“Sipas këtij njoftimi, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës ka ndërmarrë tre nisma me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, përmes së cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dyja shtetet, si dhe mundësohet njohja e ndërsjellët e provimit të jurisprudencës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Tutje, në  këtë njoftim është thënë se do të themelohet një grup i përbashkët për të parë mundësinë e zbatimit të reciprocitetit edhe në çështjet e tjera. Kjo me qëllim që të fuqizohet bashkëpunimi dhe plotësimi i nevojave të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Kjo shtrirje e bashkëpunimit vjen si kërkesë dhe nevojë e qytetarëve të të dyja vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj edhe zgjerimi e thellimi i këtij bashkëpunimi, në marrëveshjet e zotuara për këtë qëllim, i kontribuon drejtpërdrejt interesit tonë të përgjithshëm dhe të përbashkët” është thënë në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Në mbledhjen e 8-të me radhë të dy qeverive, sot në Prishtinë janë nënshkruar 19 marrëveshje, protokolle e memorandume bashkëpunimi mes këtyre dy shteteve.

Këto janë 19 ujditë e Kosovës dhe Shqipërisë