Një nga pikat kufitare

Kosova dhe Maqedonia e Veriut arrijnë marrëveshje për pika të përbashkëta të kalimit kufitar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi.

Përveç diskutimeve mbi situatën aktuale dhe angazhimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri Sveçla ka pranuar të nënshkruar nga ministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, Marrëveshjen për themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) ka njoftuar se përmes kësaj marrëveshjeje qytetarët e dy vendeve nuk do t’u nënshtrohen më ndalesave të dyfishta por kontrollet do të bëhen vetëm në njërën pikë të kalimit.

“Marrëveshja do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”. Në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Han i Elezit – Bllacë”, kontrollet doganore dhe kufitare do të kryhen në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (PPKK Bllacë) ndërsa në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Glloboqicë – Jazhincë” kontrollet doganore dhe ato kufitare do të bëhen në territorin e Republikës së Kosovës (PPKK Glloboqicë)’- thuhet në komunikatën për media.

Sipas MPB-së, ky thjeshtim i procedurave do të krijojë lehtësira të lëvizjes së personave dhe automjeteve, do të kursejë kohën e qytetarëve dhe do të shmangë pritjet në pikat kufitare.

Këtë e ka bërë të ditur edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore, bazuar në vlerat e barazisë dhe me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, sot kam nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”.”-ka shkruar Sveçla në Facebook.