Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Kosnett: Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar për të krijuar Shqipërinë e Madhe dhe Serbinë e Madhe në Ballkan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar se ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar , dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur, për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan.

KALLXO.com ka kërkuar koment nga ambasadori Kosnett, për deklarimet e politikanëve kosovarë për mundësinë që Kosova  të bashkohet me Shqipërinë përmes një referendumi.

Së fundi, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025. Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, iu është drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë, që nëse dëshirojnë ta shmangin referendumin Serbia duhet ta njeh Kosovën shtet të pavarur.

Ndërkaq, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se edhe në intervistat e fundit per Kanal10 dhe GazetaBlic, Ambasadori Kosnett ka thënë se komenti i tij për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm.

“Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të tërhiqja vëmendjen te Kushtetuta, që bën thirrje për shoqëri shumetnike me liri fetare për të gjithë. ShBA-ja është vend shumetnik dhe [nuk dëgjohet] edhe pas pothuaj 250 viteve, ne ende luftojmë të ndërtojmë shoqëri ku ka barazi para ligjit, mundësi të barabarta për të gjithë, ku grupet etnike dhe racat jetojnë në harmoni. “Nuk është lehtë dhe siç e pamë, patëm pengesa, por ende po përpiqemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e kanë quajtur ‘një union më të përsosur’”, ka thënë ambasadori.

Sipas Kosnett, bisedat për Shqipëri të Madhe dhe Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dështim.

“Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit”, ka theksuar ambasadori.