Kosnett takim me Mustafën, para koalicionit VV-LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa e ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në kohën kur VV-ja dhe LDK-ja, ende nuk e kanë finalizuar marrëveshjen për koalicion pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas një njoftimi të LDK-së, Mustafa e ka njoftuar ambasadorin Kosnett lidhur me rrjedhën e diskutimeve me VV-në sa i përket çështjeve programore.

“Në veçanti, u diskutua lidhur me harmonizimin e arritur deri tani në fushën e sundimit të ligjit, ekonomisë, çështjeve sociale, arsimit e shëndetësisë”, thekson ky subjekt politik.

Mes tjerash, Mustafa thuhet të ketë shprehur  interesimin e LDK-së që Kosova sa më shpejt të ketë institucione funksionale që dalin nga kërkesat e qytetarëve për ndryshim, të shprehura qartë në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ai po ashtu falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova”, thuhet në njoftim.

Në takimin me ambasadorin Kosnett, kanë marrë pjesë edhe nënkryetarët e LDK-së, Agim Veliu, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë përfunduar bisedimet në nivel të grupeve punuese, por takimi final për çështjen e koalicionit, pritet të marrë kohë së paku deri në certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Zyrtarë të dy subjekteve politike kanë thënë, se takimi në nivel kryetarësh do të përcaktojë edhe ndarjen definitive të përgjegjësive dhe posteve ministrore, përderisa kanë treguar se kanë harmonizuar 80 për qind të programeve të tyre.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit, fituese ka dalë VV-ja, pasuar me LDK-në.