Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

VV - LDK, rinumërimi zvarrit 'takimin vendimtar' për koalicionin

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë përfunduar bisedimet në nivel të grupeve punuese, por takimi final për çështjen e koalicionit, pritet të marrë kohë së paku deri në certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Zyrtarë të dy subjekteve politike thonë se takimi në nivel kryetarësh do të përcaktojë edhe ndarjen definitive të përgjegjësive dhe posteve ministrore, përderisa kanë treguar se kanë harmonizuar 80 për qind të programeve të tyre.

Ndërkohë, rinumërimi i më shumë se gjysmës së vendvotimeve pritet ta shtyjë për më shumë se dy javë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Në Lëvizjen Vetëvendosje bëjnë të ditur se janë në pritje të përfundimit të procedurave aktuale zgjedhore për caktimin e takimit në nivel kryetarësh.

“Tash kur takimet e grupeve punuese kanë përfunduar jemi në pritje të shqyrtimit të ankesave nga subjekte e kandidatë të ndryshëm dhe certifikimit të rezultateve dhe menjëherë pas kësaj sigurisht se do të caktohet takimi mes kryetarëve të të dy subjekteve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të VV-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas këtij subjekti politik, ajo që duhet të theksohet është themelimi edhe i një kulture të re bashkëpunuese, ajo e bisedimeve fillimisht për program pastaj për pozicione.

Për ndarjen e posteve ministrore dhe takimin me Isa Mustafën e LDK-së, një ditë më parë ka folur edhe kandidati për kryeministër nga VV-ja Albin Kurti, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Kurti beson se takimi me Mustafën duhet të zhvillohet sa më parë.

“Besoj se ne duhet të takohemi sa më parë, por janë dhe 48 orë të kohës që ka Gjykata Supreme për vendimin mbi ankesat në vendimet e PZAP-së. Ka ngelur edhe pjesa tjetër që është ndarja e përgjegjësive, e funksioneve, e pozitave, posteve pra të ministrive. Bashkë me kryetarin, udhëheqjen e LDK-së, ne natyrisht që do të takohemi dhe do të merremi vesh sepse populli na e ka përkufizuar një gjë të tillë”, ka thënë Kurti para gazetarëve në Prishtinë.

Se takimi për finalizimin e marrëveshjes së koalicionit mes dy partive pritet të ndodhë pas certifikimit të zgjedhjeve, e ka thënë edhe kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

Mbrëmjen e së mërkurës ajo ka theksuar se ende nuk i kanë ndarë pozitat eventuale në institucionet e Kosovës.

“Jo, nuk i kemi ndarë, madje as si profile nuk i kemi ndarë. Por besoj që pas certifikimit të rezultateve që me gjasë do të mund të zgjasë edhe dy jave të tjera së paku, atëherë do ta kemi këtë takimin përfundimtar ku në nivel të lartë politik të dy partitë do të flasin kujt cila ministri i takon dhe ku mund të kontribuojmë secila prej nesh më shumë”, është shprehur Osmani, në emisionin “Opinion” në TV Klan të Shqipërisë.

Në anën tjetër, Valmir Ismaili nga Demokraci Plus (D+), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se është mirë që VV dhe LDK të finalizojnë në tërësi programin e tyre.

“Këto dy subjekte politike janë deklaruar se kanë përafruar shumë qëndrimet e tyre sa i përket plan programit qeverisës. Është mirë që këto dy subjekte të finalizojnë në tërësi plan programin në mënyrë që më pastaj mos të humbet kohë në këtë proces”, vlerëson ai.

Megjithatë, sipas Ismailit, duke pasur parasysh që nga procedurat e rinumërimit dhe vendimet në Gjykatë Supreme varet se a do të jetë Nisma Socialdemokrate në Kuvend, atëherë “është e logjikshme që mos të ketë nënshkrim final të marrëveshjes sepse ndryshon edhe fuqia politike e koalicionit fitues”.

“Në këtë rast duhet të diskutohet përfshirja potenciale e Nisma-s në qeveri ose lërja në opozitë, pastaj mund të ndryshojnë kërkesat e komuniteteve pakicë, etj. Për këtë arsye është mirë që të ketë përafrim, gjë që veç është deklaruar nga VV dhe LDK, përderisa nënshkrimi të bëhet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ”, theksoi Ismaili për Gazetën JnK.

zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, më së shumti vota mori Lëvizja Vetëvendosje me 26,15 për qind, pasuar nga LDK-ja me 24,45 për qind.