Foto: Visar Shehu

Kontrolli për coronavirus në kufi me Shqipërinë: Ekipet mjekësore pa pajisje mbrojtëse

Ekipet mjekësore në pikën kufitare në Vërmicë nuk kanë pajisje shtesë mbrojtëse në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë me Coronavirus.

Drejtori komunal i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, ka thënë për KALLXO.com se ekipet e dërguara nga drejtoria komunale se nuk janë pajisur me pajisje shtesë mbrojtëse në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë me Coronavirus.

Shehu ka thënë se janë tri ekipe të cilat po kujdestarojnë 24 orë.

Ai ka shtuar se në këtë pikë kufitare ka ekipe edhe nga Instituti i Shëndetësisë Publike, të cilët kanë pajisje mbrojtëse , ndërsa ekipet nga komuna e Prizrenit nuk i kanë ato.

“Ekipet mjekësore nga Komuna e Prizrenit janë duke punuar me mjete të zakonshme pune, ne nuk e kemi as termometrin me rreze ultravjollce, i cili mund të detektojë diçka”, ka thënë Shehu.

Po ashtu, ai ka shtuar se nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar nëse këto ekipet të dërguar nga drejtoria komunale duhet të jenë ekipe statike ose mobile sepse nuk ka ndonjë hapësirë se ku duhet të qëndrojë ekipi.

“Unë tashmë në formë zyrtare kam kërkuar nga komiteti për sëmundje ngjitëse që të na tregojë anën ligjore se çka i takon komunës, ne tashmë kemi dërguar në Vërmicë ekipin emergjent ndërsa momentalisht kemi mungesë të personelit mjekësor në Emergjencë, gjithashtu kam kërkuar të dërgojnë edhe ekipe shtesë për shkak se është shumë i vështirë mbulimi i tërësishëm’, ka thënë  Shehu.

Edhe në pikën kufitare Dheu i bardhë problematika është e njëjtë, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fejzullah Berisha në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se ekipet mjekësore nga komuna e Gjilanit tashmë janë në pikën kufitare të Dheu i Bardhë.

Berisha ka treguar se këto ekipe janë duke punuar me mjete të zakonshme pune, me të cilat punojnë në punën e tyre të përditshme.

“Ne kemi dërguar ekipe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, janë tri ekipe të cilat po kujdestarojnë 24 orë. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë pajisje shtesë as nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nga Instituti i Shëndetësisë Publike, ekipet janë vetëm me pajisjet të zakonshme që ne i kemi në QKMF, dmth  kur kujdesi për rastet normale, me maska trishtresore, dorëza, dizenfektues dhe kemi termometër normal, jo infared sepse askush nuk ka sjellë pajisje shtesë, jemi në pritje se ndoshta Ministria dhe Instituti, deri më tash nuk kemi pasur asnjë rast dhe jemi duke i evidentuar rastet që po vijnë nga Italia”, tha Berisha.

Mbi 80,000 raste të prekura nga coronavirus në nivel global