Kontraktohen 158 mijë euro për shërbime funerali për vdekjet nga COVID-19

Në fund të muajit gusht, KALLXO.com raportoi se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte hapur tender për shërbime funeralesh për të vdekurit nga virusi COVID-19. Ky tender u konkretizua me nënshkrim kontrate në vlerë 158 mijë euro.

Nëpërmjet tenderit, për blerjen e këtyre shërbimeve, ShSKUK kishte ndarë 250 mijë euro, ku ishte paraparë kontratë publike kornizë me kohëzgjatje 12 muaj.

Sasia apo fushëveprimi i kontratës parashihej të ishte 1,000 të vdekur. Meqenëse kjo kontratë është kornizë, sasia mund të devijojë deri në plus/minus 30 për qind, që i bie mund të jenë për 700 apo 1,300 persona të vdekur nga COVID-i që do të marrin shërbimin e kontraktuar nga ShSKUK-ja.

Thirrja për kontratë ishte publikuar në platformën elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi” më 25 gusht 2021.

Siç raporton KALLXO.com, në dosjen e tenderit thuhet edhe se është shkurtuar afati kohor për shkak se kontratës që është në fuqi është afër përfundimit si dhe rritjes së madhe të numrit të vdekjeve nga varianti Delta i COVID-19.

“Duke pas parasysh tani edhe rastet në rritje ku potencialisht mundet të ketë raste të shumta të vdekjeve është e nevojshme që të përmbushen nevojat urgjente të Njësive organizative të SHSKUK-së. Bazuar ne LPP Neni 46 Rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore paragrafi 2 i nenit 46 thotë Gjatë një aktiviteti të prokurimit që përdor procedurat e hapura të prokurimit, autoriteti kontraktues mund të përcaktojë një afat të caktuar kohor për pranimin e tenderëve”, thuhet në dosje.

Për këtë arsye dhe në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, ShSKUK ka vlerësuar se mund të bëhet shkurtimi i afatit për afatin e pranimit të tenderëve nga 40 ditë në 15.

Për këtë tender, ShSKUK kishte  pranuar gjithsej 9 oferta. Të gjitha ofertat e pranuara ishin të përgjegjshme,  Ndërsa çmimi më i lartë i ofertuar ishte 248,000 euro ndërsa ai më i ulët 158,000 euro i kompanisë “FUNERALI” SH.P.K., me të cilën edhe nënshkroi kontratë ShSKUK më pas.

Vdekjet nga COVID-i, hapet tender për shërbime të funeralesh për 1,000 të vdekur

www.kallxo.com