Konjufca uron kryetarin e ri të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Afrim Gashin, për zgjedhjen e tij kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Konjufca ka thënë se do të jetë kënaqësi që të punojnë së bashku për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Mezi pres t’ia nisim punës për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta, për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”- ka shkruar Konjufca në urimin e tij.

Shqiptarët, siç ka thënë ai, janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut.

“Shqiptarët janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut, prandaj aksi mes lirisë dhe barazisë së qytetarëve u respektua sot me zgjedhjen e z. Gashi si kryeparlamentar, duke lënë pritshmërinë e vijimit në frymën gjithëpërfshirëse. Uroj që ligjet, praktikat dhe kultura demokratike të na sjellë edhe më afër si vizion për një të ardhme sa më premtuese për të dyja vendet tona”-është shprehur Konjufca.

Deputeti i Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me 76 vota për, gjashtë kundër asnjë abstenim.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar Kuvendit, ai i falënderoi deputetët që e votuan dhe u zotua se do të respektoj ligjin dhe kushtetutën e vendit.

“Sot po e pranoj përgjegjësinë e drejtimit të këtij Kuvendi. Si kryetar i Kuvendit përkatësia e vetme e imja do të jetë garancia që asnjë deputetë të ndjehet i pa përfaqësuar apo diskriminuar. Do të jem deputet i pushtetit dhe opozitës pasi dua që juve të ju garantohet e drejta e fjalës dhe qëndrimit personal” – tha Gashi.

Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 mandate, Fronti Evropian që drejtohet nga BDI-ja 19, koalicioni VLEN 18 mandate, dhe nga gjashtë mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.