Foto: KALLXO.com

Konfrontimi me grabitësit në Suharekë, një polic i plagosur, një i lënduar

Drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se gjatë konfrontimit me grabitësit e armatosur në Suharekë një zyrtar policor është plagosur e një është lënduar.

Alija në një prononcim për KALLXO.com tha se njëri polic ka është plagosur në këmbë, ndërsa tjetri ka një lëndim në dorë.

Sipas tij, ende pa dalë zyrtarët policorë nga vetura, të dyshuarit kanë gjujtur me armë në drejtim të Policisë.

“Me të pranuar informatën, baza e Suharekës ka shpërndarë informacionin për një grabitje. Ende pa dalë prej veture, të dyshuarit kanë gjujtur në drejtim të Policisë, me këtë rast njëri nga zyrtarët që ka qenë duke e drejtuar mjetin ka marrë lëndime të lehta në këmbë dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë kolegu tjetër ka dalë prej veture dhe ka shkëmbyer zjarr me të dyshuarit. Ai ka një lëndim në dorë, do të thotë polici i dytë i lënduar por jo me armë zjarri”- ka thënë ai.

Alija tutje ka njoftuar se të dyshuar për rastin janë katër persona, të cilët kanë qenë të maskuar e të armatosur.

Ai ka njoftuar se targat e veturës e të dyshuarve ka rezultuar që janë vjedhur diku në Prishtinë.

Si ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes Policisë dhe grabitësve të argjendarisë në Suharekë?

www.kallxo.com