Konfiskohen armë, fishekë e vetura të pa doganuara në Gjakovë, arrestohet dy të dyshuar

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë, ka arrestuar gjatë ditës së djeshme dy persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje e po ashtu ka konfiskuar armë të ndryshme.

Policia ka njoftuar se fillimisht ka siguruar informata në rrugë operative se disa persona të dyshuar kanë ekspozuar armë të ndryshme në kundërshtim me ligjet aktuale në Republikën e Kosovës, gjë që sipas policisë paraqet shqetësim dhe pasiguri për banorët.

“Me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti dhe largimin e armëve qe janë në posedim të paligjshëm, Stacioni Policor në Malishevë ka përpiluar plan operativ dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka siguruar urdhër kontrolle të lëshuar nga Gjykata Themelore  në Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Mëngjesin e sotëm, Stacioni Policor në Malishevë, mbështetur edhe nga Njësitë tjera operative, ka kryer bastisje të një objekti të banimit dhe objekteve tjera përcjellëse ne fshatin Gollubovc, dhe në një auto-sallon në fshatin Kijevë.

“Gjatë dy operacioneve policore në fjalë janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe Përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm, M. H., 40 vjeçar dhe B. P., 49 vjeçar. Gjatë këtyre kontrolleve në të dy lokacionet në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar një kallashnikov, tri pistoleta, 244 fishekë, një karikatorë të armës automatike, dhe tre karikatorë të pistoletave”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se përveç provave të lartcekura në auto sallonin në fshatin Kijevë janë gjetur pesë automjete të pa doganuara, për të cilat është njoftuar Dogana e Kosovës të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe janë duke u marrë me rast.

Lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të tij, pas përfundimit të procedurave policore, personat e arrestuar janë liruar në procedurë të rregullt.