Arma e sekuestruar në Gjakovë. Foto: Policia e Kosovës

Policia ia konfiskon armën pa leje një 18-vjeçari në Gjakovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës ka konfiskuar një armë pa leje nga një 18-vjeçar në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht ishte pranuar informata se i dyshuari F.H. posedonte armë në mënyrë të paautorizuar.

Për rastin ishte njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe në koordinim me të, zyrtarët policorë kanë kryer kontroll në vendbanimin e të dyshuarit, në fshatin Kralan të Gjakovës.

Policia tha se i dyshuari është intervistuar dhe pas përfundimit të procedurave të tjera policore, me vendim të prokurorit ai është liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj 18-vjeçarit është njoftuar se është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.