Komuna largon konstruksionet pa leje në Pallatin e Rinisë, bizneset e quajnë të jashtëligjshme ndërhyrjen

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ka zhvilluar një  aksion në Pallatin e Rinisë me qëllim të largimit të disa konstruksioneve të vendosura pa leje në këtë pallat e që sipas organeve kompetente po rezultojnë në ndryshim të pamjes origjinale të këtij objekti.

Konstruksionet janë vendosur kryesisht në periudhën e pasluftës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se me anë të këtij aksioni pa lirohet hapësira e uzurpuar.

Sipas tij, pallati është i mbrojtur me ligj dhe aksione të ngjashme do vazhdojnë edhe në vijim.

“Kemi këtë intervenim për lirim të hapësirës së uzurpuar dhe rikthimin e  tij në gjendje origjinale. Sic e dini ky pallat është ikonë e kryeqyretit dhe e mbrojtur me ligj. Sot kemi fillu me këtë pastrim të intervenimit dhe do vazhdojë edhe më tutje. Jemi edhe në proces të hartimit të një plani për rigjenerim të pallatit” ka thënë Rama.

Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi tha se këto hapësira do kthehen në planin fillestar të projektit.

Sipas tij, do lirohen edhe hapësirat përpara siç janë bankomatet.

“Këto hapësira do kthehen në projektin e tyre fillestar për të ruajtur origjinalitetin,  do vazhdojmë edhe me hapësirat përpara pallatit duke përfshirë edhe bankomatet.

“Pronari i këtij objekti është komuna, këtu ka vetëm shfrytëzues”, tha Dushi.

Ai shtoi se janë përcjellë të gjitha procedurat ligjore për këtë intervenim të inspekcionit.

Një aksion i tillë u kundërshtua nga Naim Tërnava, përfaqësues i biznesit në të cilin u bë ndërhyrja.

Ai po konsideron se ndërhyrja është e jashtëligjshme pasi nuk kanë vendim dhe nuk janë paralajmëruar.

“Ky objekt ka pëlqim në vitin 2007 dhe këta po thirren kinse për mbrojtje të trashëgimisë. Këta nuk kanë as vendim për largim të këtij lokali. Ka objekte me tulla e blloka që kanë hyrë në gjelbrim dhe nuk po i prekin, vetëm këtë po e largojnë” , tha ai.

“Sot pa paralajmërim e pa vendim kanë ardh e kanë ndërhyrë në këtë objekt, kemi angazhu edhe avokat. Ky është objekt montazh i metalit me leje. Do i padisim të gjithë nga drejtori i pallatit të rinisë e deri të komuna” shtoi më tej Tërnava.