Komuna e Ranillugut

Komuna e Ranillugut nuk arrin ta verifikojë gjendjen aktuale të pronave siç parashihet me ligj

Komuna e Ranillugut nuk kishte arritur që të verifikonte gjendjen aktuale të pronave ashtu siç parashihet me ligj.

Në komunën e Ranillugut, nga 1 mijë e 297 prona të regjistruara, kishin arritur të kryejnë verifikimin e vetëm 6 për qind të pronave të paluajtshme e jo ashtu siç e parasheh ligji së paku 20 për qind të tyre.

Kjo është një nga gjetjet e Auditorit të pasqyruara në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Ranillugut për vitin 2020.

“Sipas nenit 15.2 të Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme parashihet që veprimtaritë inspektuese kryhen çdo vit për të paktën 20% të gjitha objekteve brenda territorit të komunës. Komuna në vitin 2020, prej 1,297 pronave të regjistruara kishte arritur të kryej verifikimin e vetëm 84 objekteve apo 6% të pronave të paluajtshme”, thuhet në raport.

Në raportin e Auditimit thuhet se kjo ka ndodhur shkaku që në njësinë e tatimit në pronë është i punësuar vetëm një zyrtar.

“Sipas zyrtareve komunal kjo ka ndodhur për shkak se në njësinë e tatimit në pronë është i punësuar vetëm një zyrtar, i cili për shkak të vëllimit të punëve, nuk kishte mundësi të përmbush këtë kërkesë ligjore”, thuhet në raport.

Sipas raportit të auditorit, ndikimi Inspektimi i ulët i pronave, mund të rezultojë me informata jo të plota të pronës së tatueshme aktuale si dhe të ndikoj në ngarkesa tatimore joadekuate.

Në raport janë dhënë rekomandime që kryetari duhet të marrë në konsideratë plotësimin e vendeve të punës në këtë departament, dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kryer verifikimin e objekteve sipas dispozitave ligjore.

Për këto të gjetura, janë pajtuar edhe komuna.