Komuna e Ranillugut

Komuna e Ranillugut nuk e ka mbledhur borxhin mbi 209 mijë euro nga tatimi në pronë

Komuna e Ranillugut nuk e ka mbledhur borxhin në vlerë mbi 209 mijë euro nga tatimi në pronë në vitin 2020, siç parashihet në ligj.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, borxhi prej tatimit në pronë është rritur për 13,312 euro krahasuar me vitin 2019.

“Komuna për të arkëtueshmet nga tatimi në pronë në vlerë 209,614 euro të cilat krahasuar me vitin e kaluar ishin rritur për 14,312 euro, nuk kishte ndërmarrë ndonjë aktivitet për mbledhjen e tyre siç parashihet me Ligjin për tatimin në pronë”, thuhet në raportin e publikuar nga ZKA.

Sipas Auditorit, mosaplikimi i mekanizmave të përcaktuara me ligj ndikon në rritje të vazhdueshme të këtyre llogarive dhe inkurajon debitorët e tjerë që të mos paguajnë detyrimet e tyre.

Sipas Auditorit, kjo redukton kapacitetin e Komunës së Ranillugut për të financuar nevojat e saj nga burimet vetjake.

Rekomandimi i Auditorit është që kryetari duhet të analizojë në mënyrë të detajuar gjendjen e borxheve që debitorët i detyrohen komunës, të propozojë masa më efektive si dhe të aplikojë të gjithë mekanizmat në dispozicion për mbledhjen e këtyre borxheve, duke mos përjashtuar edhe masat ligjore.

Sipas tyre, nëse një tatimpagues apo debitor nuk e paguan plotësisht tatimin dhe gjobën në përputhje me afatet e përcaktuara, komuna nxjerr njoftimin përfundimtar me shkrim brenda dhjetë ditëve pune pas ditës së fundit për pagesë, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara, jo më vonë se dhjetë ditë kalendarike pas ditës që njoftimi përfundimtar konsiderohet të jetë pranuar nga debitori.

Sipas Raportit të Auditorit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Ranillugut për vitin 2020, thuhet se Komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e 10 eurove.

Raporti i Auditorit tregon se sipas nenit 56 të Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, ndër të tjera si mekanizëm për mbledhje të borxhit parashihen edhe veprimet si: borxhliut i dërgohet urdhër për pagesë të taksës me vërejtjen për përmbarim, kamata do të fillojë të llogaritet nga data e vendosur në vendim për arkëtimin e borxhit; ndërprerja e veprimtarisë afariste (mbyllja për tri ditë); malli do të regjistrohet dhe do të merret (konfiskimi i pasurisë) dhe shitja e pasurisë përmes ankandit.

Të arkëtueshmet nga shitja e shërbimeve (mbledhja e mbeturinave) në fund të vitit 2020 ishin 135,866 euro, që i bie nga viti i kaluar janë rritur për 4,717 euro.

Të arkëtueshmet nga shfrytëzimi i hapësirave publike janë rritur për 3,717 euro krahasuar me vitin 2019.

 

Komuna është pajtuar me këtë të gjetur.