Komuna e Ranillugut

Ranillugu gjatë vitit 2020 nuk kishte kryer asnjë auditim

Njësia e Auditimit të Brendshëm në Komunën e Ranillugut, gjatë vitit 2020 nuk ishte funksional, pasi sipas auditorit të brendshëm kishte marr pushim pa pagesë.

Kështu ka njoftuar Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Ranillugut për vitin 2020.

“Komuna ka katër mënyra për kryerjen e auditimeve të brendshme: themelimin e njësisë së auditimit në kuadër të Komunës; njësi të përbashkët me subjekte të tjera të sektorit publik; marrëveshje me ndonjë subjekt publik për kryerjen e shërbime të auditimit apo edhe kontraktimit të një kompanie profesionale. Komuna gjatë vitit 2020 nuk kishte kryer asnjë auditim të brendshëm, pasi që auditori i brendshëm ishte në pushim pa pagesë dhe si rezultat Njësia e Auditimit të Brendshëm nuk ishte funksionale”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti thuhet se Auditori i brendshëm/drejtori i auditimit ka marrë pushim pa pagesë për një periudhë të caktuar kohore pasi që ka dal përkohësisht të punoj jashtë institucioneve publike.

“Mungesa e funksionimit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm nënkupton që Komuna nuk ka një mekanizëm të pavarur dhe objektiv i cili shërben si këshillëdhënës në ofrimin e sigurisë së arsyeshme mbi efektivitetin e kontrolleve të brendshme të komunës dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve operative”, thuhet në raport.

Rekomandimi i Auditorit është që kryetari i Komunës ta funksionalizojë Njësinë e Auditimit të Brendshëm, ose të shqyrtohen mundësitë tjera të sigurimit të sigurimit të shërbimeve të auditimit, siç përcaktohen me Rregulloren e mësipërme.

Me këtë të gjetur janë pajtuar edhe komuna.

Gjithashtu, kjo komunë nuk e ka themeluar as Komitetin e Auditimit.

Sipas raportit, çdo subjekt i sektorit publik që ka të themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm në nivel të organit kryesor sipas legjislacionit në fuqi, themelon Komitetin e Auditimit.

Komuna ende nuk kishte themeluar Komitetin e Auditimit, edhe pse lidhur me këtë ishte dhënë rekomandim edhe vitin e kaluar.

Auditori ka thënë se për mos adresimin e këtij rekomandimi, nuk iu është dhënë ndonjë shpjegim i vlefshëm nga zyrtarët komunal.

“Mungesa e komitetit të auditimit mund të ndikojë në pavarësinë e Njësisë së Auditimit nga ndërhyrjet e menaxherëve, si dhe mos-adresimin e duhur të rekomandimeve të dhëna nga NJAB”, thuhet në raport.

Auditori ka dhënë rekomandim që kryetari duhet të themelojë dhe ta bëjë funksional komitetin e auditimit, që t’i rishikojë rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e dhëna.

Me këtë të gjetur janë pajtuar komuna.