Foto: Komuna e Rahovecit

Komuna e Rahovecit ende pa zgjidhje për dëmet nga vërshimet e shtatorit

Vërshimet të cilat ndodhen për shkak të reshjeve të shiut në komunën e Rahovecit kanë shkaktuar dëme milionëshe në amvisëri, ekonomi familjare, biznese, infrastrukturë dhe bujqësi. Prej tyre është caktuar vlera e dëmeve, por komuna thotë se ka hasur në pengesa për sigurimin e fondeve.

Komuna e Rahovecit ka bërë të ditur për KALLXO.com se totali i vlerës së dëmeve deri tani ka arritur shifrënprej 3,546,477.66 euro.

Për përmbytjet e 17 shtatorit janë krijuar komisione tek të cilat qytetarët kanë pasur qasje në raportimin e dëmeve.

Sipas komunës, ende nuk ka fonde për kompensimin e tyre pavarësisht se i kanë dërguar raportet dhe kërkesat drejt Qeverisë.

“Kërkesat janë parashtruar për Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe ministritë gjegjëse: MBPZHR, MAPL, MMPHI, MINT, ku edhe kemi kërkuar që të ndahet buxhet për t’i kompenzuar qytetarët e dëmtuar të komunës sonë”- është bërë e ditur nga Komuna e Rahovecit.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ali Morina shef i kabinetit të kryetarit, në Komunën e Rahovecit, tregon që nga vërshimet kanë pësuar 330 shtëpi dhe 10 biznese.

“Deri me tani vlerësimet kanë përfunduar në amvisëri, ekonomi familjare, biznese dhe infrastrukturë publike, ne këto dy sektorë vlera e dëmeve ka arritur, në amvisëri, ekonomi familjare: 1,182,619,00 euro, në infrastrukturë publike: 550,722,00 Euro,- tha ai për KALLXO.com.

Sipas raportit janë dëmtuar 543 fermerë, 450 hektar tokë me perime pa pësuar dëme me vlerë prej 1, 735, 851.65 euro.

Sipas tyre prej vendbanimeve me dëme në ekonomi familjare dhe amvisëri më së shumti ka pësuar fshati Ratkoc.

Nga këto vërshime janë përfshirë 24 vendbanime: Rahoveci, Krusha e Madhe, Celinë, Nagac, Hoçë e Vogël, Zoqisht, Opterushë, Fortesë, Xërxë, Radoste, Pastasel, Nashpallë, Sapniq, Drenoc, Gexhë, Pataqan i Poshtëm, Senoc, Dejnë, Gurii Kuq, Bratatin, Vrajakë, Babovc, Dobidol, Ratkoc.

E prekur nga vërshimet ka qenë edhe komuna e Gjakovës, raportimi i qytetarëve për dëmet ka qenë i hapur deri me datë 28 shtator, ndërsa për KALLXO.com komuna bën të ditur se po vazhdojnë të punojnë në daljen e raportit përfundimtar i cili cakton vlerën e përgjithshme të dëmeve.