Shkolla fillore "Faik Konica", Prishtinë, Foto: Rinesa Osmanaj, KALLXO.com

Komuna e Prishtinës flet për muzikën me gjuhë të urrejtjes, të lëshuar në festivalin e shkollës "Faik Konica"

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Faik Konica” ka mbajtur festivalin “Konica Fest”, mirëpo për ‘dispononim’ e nxënëseve të kësaj shkolle është lëshuar një këngë me përmbajtje jo të duhur.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka pohuar se një këngë e tillë është lëshuar në oborrin e shkollës.

“Po, kënga në fjalë është lëshuar dje në oborr të shkollës, siç edhe jemi njoftuar pastaj nga Drejtoria e shkollës, kjo ka ndodhë gjatë aktiviteteve të “Konica Fest””, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Musmurati ka thënë se menjëherë pas këngës është ndërruar repertori i muzikës dhe se kënga është lëshuar gjatë kohës që drejtoresha e shkollës nuk ka qenë prezente.

“Organizator është vetë shkolla “Faik Konica”. Kemi kërkuar përgjegjësi nga shkolla. Menjëherë pas këngës është ndërruar repertori i muzikës, pasi që kënga është lëshuar gjatë kohës që Drejtorja e shkollës nuk ka qenë prezent. Pas ndodhisë, Drejtoria e shkollës ka kërkuar falje tek prindërit dhe është siguruar qe një gjë e tille nuk përsëritet”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Ajo tutje ka thënë se drejtoria e shkollës ka kërkuar falje lidhur me, siç e ka quajtur ajo, “lëshimin e djeshëm”.

“Drejtoria e shkollës dhe këshilli i nxënësve kanë qenë shumë bashkëpunues dhe kanë reaguar menjëherë. Sot, gjatë programit të shkollës, Drejtoria e shkollës edhe njëherë ka kërkuar falje për lëshimin e djeshëm”, ka shtuar ajo.

Gjatë ditës në rrjete sociale është publikuar një video e festës te kjo shkollë, ku dëgjohet muzikë që brenda tekstit të saj përmban gjuhë të urrejtjes, vulgare e gjëra të tjera.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët e kësaj shkolle dhe të njëjtët kanë thënë se ‘ka qenë lëshim teknik i DJ-it’.

“Ajo çka shihet në video ka qenë një lëshim teknik nga DJ i kontraktuar nga shkolla, dhe ne sapo e kemi vërejtur kemi ndërhyrë për ta ndalur”, është thënë në përgjigjen e shkollës për KALLXO.com.

Videon e postuar në rrjete sociale mund ta shihni KËTU.

Në festivalin e shkollës ‘Faik Konica’ për nxënësit, lëshohet muzikë me gjuhë të urrejtjes