Komuna e Prishtinës anuloi tenderin për angazhimin e punëtorëve për pastrimin e shkollave

Tenderi për angazhimin e punëtorëve të pastrimit të kompanive për shkollat e komunës së Prishtinës u anulua pasi ofertat që mori Komuna dolën të jenë më të larta se vlera e parashikuar për kontratë.

Në muajin e kaluar, Komuna e Prishtinë mori iniciativë për angazhimin e punëtorëve të pastrimit në shkolla në kuadër të masave kundër pandemisë së COVID-19.

Për këtë qëllim, Komuna e Prishtinës, në platformën elektronike “e-prokurimi” publikoi njoftimin për thirrje të kontratës, me titull “Angazhimi i punetorve te pastrimit ne Shkolla ne kuader te masave anti covid 19”.

Për këtë tender, Komuna kishte parashikuar kontratë në vlerë prej 134,292.06 euro.

Komuna kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit, me kriter të dhënies së kontratë çmimi më i ulët.

Në anën tjetër, në mesin e muajit nëntor Komuna bëri të ditur se ka anuluar këtë aktivitet të prokurimi pasi ofertat e pranuar nga kompanitë tejkaluan vlerën  e parashikuar të kontratës.