Komuna e Istogut përgatitet ta rrënojë burgun e Gurrakocit, ku jetojnë disa skamnorë (VIDEO)

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Istogut ka filluar të bëjë matjet për të rrënuar burgun e vjetër të Gurrakocit.

Së fundi, në atë burg kanë qenë të strehuara disa familje skamnore.

Me vendim të Komunës ato familje janë larguar nga aty, për shkak të planeve të tjera të Komunës.

Një qytetar ka dërguar në KALLXO.com, video të zyrtarëve të Inspeksionit të Komunës së Istogut që kanë filluar t’i bëjnë matjet për të vazhduar pastaj me rrënimin e objektit.

Ky objekt në të kaluarën ka shërbyer si burg dhe është ndërtuar pak pas Luftës së Dytë Botërore.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Istogut, Demë Çeta në një prononcim për KALLXO.com, tha se këto familje do të shkojnë prej nga janë ardhë, sepse sipas tij shumica janë prej komunave të tjera.

“Ata familje do të shkojnë, ka janë ardhë. Do të shohim, nëse po mundemi me ia bo ndonjë çahre atyre”, tha Çeta.

“Shumica e familjeve nuk janë prej Komunës së Istogut, janë prej Klinës e Skenderajt. Na nuk i kemi sjellë aty. Ne kemi dashtë me rrëzu vjet, por mos me i qit në dimër në rrugë, e kemi shty procesin. Por ai burg paraqet rrezik për ta”, shtoi drejtori.

Çeta tha se ende nuk e dinë se për çka do të shfrytëzohet ajo hapësirë në të ardhmen, pasi që momentalisht janë duke dashur ta mënjanojnë rrezikun e shembjes.

“Na do ta heqim rrezikun, e çka ndodhë me vendin, e shohim. Nuk e di nëse mund ta merr ndonjë biznes atë pronë për me ndërtu, të shohim”, tha drejtori