Komuna e Hanit të Elezit synon zhvillimin e turizmit me asfalt që e zë vetëm një veturë - FOTO

Komuna e Hanit të Elezit e cila qeveriset nga kryetari Rufki Suma, ka njoftuar se ka filluar asfaltimi i rrugës Dërmjak –Neqavc.

Me asfaltimin e kësaj rruge, siç theksohet në njoftimin e Komunës synohet edhe rritja e turizmit në këtë zonë.

Por ajo që shihet në fotografitë e publikuara nga Komuna e Hanit të Elezit, është shtrimi i këtij asfalti në gjerësi tepër të ngushtë.

Në fotografi shihet se traseja është shtuar vetëm sa për të kaluar një veturë, dhe po të ndeshen dy vetura përballë njëra tjetrës, do ta kenë të domosdoshme që njëra të dalë jashtë rrugës, si e vetmja mundësi për të kaluar nëpër të.

Kjo rrugë siç ka njoftuar Komuna ka kushtuar hiq me pak se 465,000.00 euro dhe është bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës.

 

“Njëri ndër investimet më të larta për financim gjatë këtij viti është projekti i rrugës Dërmjak –Neqavc. Aktualisht në këtë projekt ka filluar asfaltimi i rrugës kryesore si dhe segmenteve të rrugëve që lidhin Lagjen Topojan, Lagjen e Vilve, si dhe në drejtim të vendit i quajtur te pishat. Pjesë e këtij projekti është edhe rehabilitimi dhe trasimi i segmentit të rrugës nga fshati Neqavc në drejtim të fshatit Gjurgjedell”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Në njoftim është bëtë e ditur se për të parë zhvillimet në këtë projekt, aty ka dalë edhe Kryetari i komunës Rufki Suma dhe Refet Kalisi Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

“Ky projekt ka për qëllim kompletimin e infrastrukturës rrugore në komunë me qëllim që shumë pronarëve të tokave të ju mundësohet qasja më e lehtë në pronat e tyre si dhe në projekte afatgjate të komunës kjo zonë ka kapacitete edhe për tu shndërruar në zonë turistike për banorët e Hanit të Elezit. Realizimi i këtij projekti është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Ministrisë së infrastrukturës në vlerë prej 465,000.00 euro”, përfundon njoftimi i Komunës së Hanit të Elezit.