Deçani_Foto_KALLXO.com

Komuna e Deçanit hapë thirrjen për bursa, kritikohet se e bëri në prag të zgjedhjeve

Komuna e Deçanit që udhëhiqet nga Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur thirrjen për ndarjen e bursave për studentët e Universiteteve Publike.

Përmes një njoftimi, komuna tha se të gjithë studentët e vitit akademik 2019-2020 e të cilët janë në vitin e dytë e më lartë, kanë të drejtë të aplikojnë për bursë. Konkursi për bursë është hapur më 19 gusht dhe do të zgjas 15 ditë.

Që nga paslufta, Komuna e Deçanit po ndan bursa për studentët për herë të dytë. Këtë për KALLXO.com e tha drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Bekim Vishaj.

“Vetëm njëherë komuna ka dhënë para pesë-gjashtë viteve, në mandatin e kryetarit Ramosaj është hera e parë dhe zotohemi që do të ketë për çdo vit. Ne e kemi pas në plan edhe vitin e kaluar, po pandemia na ka penguar”, tha ai.

Ai ka thënë se ndarja e bursave nuk lidhjet me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Ndërsa, tha se shpreson që ndarja e bursave të vazhdoj për çdo vit.

“Unë nuk e shoh që ka ndonjë lidhje me zgjedhjet, unë e di që ky është një premtim i kryetarit dhe e ka realuzu e për këtë jam edhe unë mirënjohës, edhe si prind edhe si drejtor i Arsimit të Komunës, uroj që të vazhdoj për çdo vit ky projekt”, u shpreh Vishaj.

Por, aktivisti i shoqërisë civile në Deçan, Ndriçim Çekaj, ndarjen e bursave në këtë kohë e ka iidhur me zgjedhjet lokale.

“Është për keqardhje fakti se për më shumë se një dekadë nuk u gjenden mjete financiare për ndarjen e bursave me arsyetime të ndryshme për mungesë buxheti ndërsa tani me pak se dy muaj para zgjedhjeve lokale Komuna Deçanit bënë publik konkursin për ndarjen e bursave studentore, përtej këtij fakti uroj që bursat t’i fitojnë të gjithë ata studentë që janë meritorë”, tha Çekaj për KALLXO.com.

“Por, një trajtim i tillë i studentëve të Deçanit si kartë elektorale për vota është për keqardhje, me ketë logjikë nuk habitem që pasi që ta fitojnë edhe njëherë pushtetin lokal do tu thonë studentëve fitues të bursave se nuk kemi para, se i kemi shpenzuar në dreka e darka”, tha tutje ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit kishte premtuar se do të ndaj bursa për studentët deçanas edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

KËTU mund t’i gjeni të gjitha detajet e konkursit për ndarjen e bursave në Komunën e Deçanit.