Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kompania ‘Bageri’ tregon se a kanë paguar ndonjëherë Durmishin për ‘këshillat’

Kompania private ‘Bageri’ është deklaruar në lidhje me miqësinë dhe ‘këshillat’ e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishit.

Kjo kompani ka fituar disa herë kontrata nga Ministria e Infrastrukturës, gjatë periudhave të ndryshme.

Në Kallxo Pernime, zëvendësministrit Durmishi tha se pronarin e kompanisë “Bageri”, Bujar Shabanin, e ka shok dhe asnjëherë nuk ka punuar në kompaninë e tij.

Në lidhje me këtë, i kontaktuar nga KALLXO.com, Valdrin Shabani, djali i pronarit të kompanisë, përmes telefonit tha se Durmishi asnjëherë nuk është paguar nga kompania.

Sipas tij, Durmishi vetëm ka ‘dhënë ndonjë këshill’.

“Jo, asnjëherë nuk është paguar. Ai vetëm ka qenë shok i babit (Bujar Shabani), ka ardhë ka nejt për qef najher e kështu. Ka dhanë ndonjë këshill në menaxhim e këso, se kështu nuk ka pas asnjëherë asgjë. Kafe ka ardhë ka pi e këso senesh.”, ka thënë Shabani përmes telefonit për KALLXO.com.

Tutje, Valdrin Shabani tha se kompania ‘Bageri’ prej që është në pozitën e zëvendësministrit Hysen Durmishi, e ka fituar vetëm një aneks-kontratë, cila sipas tij, është për rrugën për në Brezovicë.

“Qe 1 vit ne e kemi fitu vetëm një kontratë prej Ministrisë së Infrastrukturës, se përpara i kemi fituar ka 20, 30 e më shumë. E prej që është në pozitë Durmishi, e kemi fitu vetëm një kontratë. Dhe ajo është aneks-kontratë. Kontratën e kemi pasur me Pal Lekajn. Çdo rrugë nuk është e mundur me u parapa projekti ideal, ka një shtesë është një zgjerim, që nuk e kanë paraparë. E qajo është aneks-kontratë, nuk e kanë paraparë një shtesë dikund, e qikjo është aneks-kontrata”, tha Shabani përmes telefonit.

Mbrëmë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se e ka shok pronarin e biznesit ‘Bageri’, kompani që kishte fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës.

Në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’, Durmishi tha se nuk ka punuar në kompaninë e tij por vetëm e kishte ndihmuar.

Zëvendësministri: E kam shok pronarin e kompanisë që fitoi kontrata nga Ministria