MAShT Shpall Shkencëtarët e Vitit 2016

Ministri Arsim Bajrami me përzgjedhjen e Këshillit të Shkencës në MASHT, zgjodhi Shukri Klinakun dhe Kreshnik Hotin si shkencëtarë të vitit 2016.

Ndërsa si shkencëtarë të rinj më të mirë të vitit 2016 u zgjodhën Haki Jashari dhe Bujar Shabani.

Ministri Bajrami e vlerësoi këtë ngjarje si stimulim ndaj personave që punojnë në shkencë, ndërsa e arsyetoi edhe vonesën e shpalljes së këtyre çmimeve.

“Ky është një stimulim dhe një thirrje për të gjithë hulumtuesit tanë dhe universitetet tona që të mbështesin punën hulumtuese shkencore. Plani jonë ka qenë që këtë ta bëjmë në fund të muajit dhjetor por në muajin dhjetor kemi qenë në situatë shoku nga PISA 2016 dhe po e bëjmë këtë me një vonesë “, tha Bajrami.

Në anën tjetër, Kryetarja e Këshillit të Shkencës në MASHT, Myzafere Limani ngriti lart punën e bërë nga këta shkencëtarë që sipas saj tejkalon nivelet vendore.

“Nuk është e lehtë puna që e bën këshilli dhe këshillat e fushave sepse vërtetë në mesin e shkencëtarëve dhe hulumtuesve ka të atillë që i kanë rezultatet e krahasueshme me vlerat ndërkombëtare”, tha Limani.

Shkencëtari i sapozgjedhur i vitit 2016, Shukri Klinaku foli për punën e tij në fizikë e cila i solli edhe çmimin.

“Fusha e ngushtë me të cilën unë merrem është lëvizja relative apo relativiteti. Unë e kam sublimuar punën time jo vetëm brenda këtij viti po gati 20 vite”, konstatoi Klinaku.

Ndërkaq një prej shkencëtarëve të rinj për vitin 2016 ishte mjeku Bujar Shabani.

“Në fushën e pediatrisë kardiologjike ka qenë punimi im apo tema ime e doktoraturës prej të cilës i kam nxjerrë katër punime shkencore”, tha Shabani.