Komisioni për Arsim detyron mediat të dalin jashtë

Në mbledhjen e Komisionit për Arsim ku pritej të raportonte ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci mediat u detyruan që mos të përcjellin këtë mbledhje nën arsyetimin se shkelen masat COVID-19, që parashihet në ambiente të mbyllura të jenë deri në 20 persona.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola kërkoi që mediat të merren vesh mes vete dhe të vendosin kush mund të qëndrojë.

Ai po ashtu kërkoi që në mbledhje të qëndrojnë vetëm kameramanët dhe gazetarët të dalin jashtë, si mundësi për lejim të mediave në këtë mbledhje.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha propozoi të gjendet një zgjidhje dhe operatori i kontraktuar nga ana e Kuvendit t’ua shpërndajë gazetarëve gjithë mbledhjen.

Mediat refuzuan të ndahen dhe së bashku dolën nga mbledhja.