Foto: KALLXO.com

Komisioni miraton plotësimin e Ligjit të buxhetit, përfshihet edhe koeficienti për paga

Më gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për buxhet, punë dhe transfere ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore që përfshin koeficientin për paga.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, nuk ka votuar për këtë projektligj ndërsa deputetët Pal Lekaj nga AAK dhe Avduallah Hoti nga LDK që janë anëtarë të këtij komisioni, sot nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka propozuar që vlera e koeficientit të ndryshohet nga 105 në së paku 125 gjatë leximit të dytë.

“Kisha bërë thirrje që edhe nëse kalon në lexim të parë që mundësinë e leximeve të kësaj vlere kemi mundësi të bëjmë. Deputetët kanë mundësi që të bëjnë kërkesë që të ndërrojnë koeficientin prej 105 deri në 125 euro” – ka thënë Lushtaku.

Para deputetëve në Komision, këtë projektligj e ka propozuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Fatmirësisht gjatë vitit 2022 kemi pasur rritje pozitive ekonomike dhe është inkorporu në buxhetin e kostos për pagat. Ne kemi paraparë që për vitin 2024 te rritet koeficienti ne 110 euro.Ky është neni kryesor që parasheh shtimin e vlerës së koeficientit. Me nenin 5 dhe 6 është paraprë fleksibiliteti që Ministrisë së Financave ti jepet mundësia të bëj transferim nga një organizatë buxhetore në tjetrën” – deklaroi Hekuran Murati para deputetëve të Komisionit.

Ministri Murati po ashtu tha se paga mesatare bruto për vitin 2022 ka qenë 620 euro dhe tani pritet të jetë 730 euro bruto.

“Dhe si përqindje është më e lartë sepse numri ka shku duke u zvogëluar” – është përgjigjur Murati.

Më 1 shkurt 2022, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është bërë prezantimi i vlerës monetare të koeficientit. Vlera e tij për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2023 sipas Qeverisë së Kosovës do të jetë 110 euro. Ndaj vlerës së koeficientit ka pasur pakënaqësi nga sektorë të ndryshëm.

Ligji për paga në sektorin publik më 22 dhjetor 2022 është miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë të votave. Më 5 janar 2023 është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe i njëjti pritet të hyjë në fuqi më 5 shkurt 2023.