Komisioni fshin pikën e cila thotë se Bordi i KPM -së mund të shkarkohet në rast të mosmiratimit të raportit vjetor

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e ka shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, më 30.05.2024.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetja e grupit multietnik, Fidan Jilta kanë miratuar amandamentet e këtij projektligji për ta proceduar më tutje në komisionet e përhershme.

Gjashtë deputetët votuan pro amandamentit, për të fshirë pikën 3.6 të nenit 17 i cili thotë se bordi i KPM -së mund të shkarkohet në rast të mosmiratimit të raportit vjetor.

Kryetari i komisionit parlamentar, Valon Ramadani (LVV) tha se është e rëndësishme që kjo pikë të fshihet pasi që ka qenë dhe propozim i ekspertes së Këshillit të Europës.

Në mbledhjen e mbajtur më 26.04.2024, Komisioni ishte kritikuar nga ekspertja e Këshillit të Europës në lidhje me punën në Projektligjin për KPM-në.

Më 26.04.2024, Komisioni për Media ka nisur shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për KPM-në.

Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin në këtë mbledhje kishte kritikuar punën e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës në lidhje me punën në Projektligjit të shumë-diskutuar për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Nuk ju interesojnë standardet e KiE-së, kjo vërtet nuk po ka ndikim”- kishte thënë ajo mes tjerash.

Ndërsa më 24.05.2024 Këshilli i Europës ka publikuar opinionin ligjor të këtij institucioni mbi projektligjin për KPM-në.

Ndërkohë, misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur këtë opinion ligjor.