Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Komisioni Evropiane: Kuvendi i Kosovës vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera politike

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, këtë vit ka kritika për punën e Kuvendit e Kosovës, duke theksuar vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.

Sipas këtij raporti, puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë.

Tutje thuhet se, shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për të avancuar më tej agjendën e reformave të BE-së dhe për të krijuar konsensus rreth reformave të mëdha.

“Gjuhë nxitëse kundër kundërshtarëve politikë vazhdoi të përdoret në debate” – theksohet në raport mbi punën e parlamentit.

Ndërsa, një tjetër arsye në ngadalësimin e punës të Kuvendit, është edhe fushata elektorale e zgjedhjeve ku deputetët u angazhuan.

Raporti ka vënë në pah edhe mungesat e shpeshta të anëtarëve në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

“Mungesat e shpeshta të anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit në mbledhje, mospjesëmarrja e Lista Srpska dhe më vonë dorëheqja e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me zgjedhjen e tij si kryetar i Mitrovicës, shpeshherë ia pamundësoi Kryesisë së Kuvendit arritjen e kuorumit për mbajtjen e mbledhjeve” – theksohet tutje.

Një tjetër “kritikë” e raportit të progresit ka të bëjë me mënyrën e votimit më dorë, që sipas këtij raporti ky lloj votomi në shumë raste çoi në rezultate të pasakta të votimit.

Po ashtu thuhet se, sipas sistemit të votimit me ngritje duarsh Kuvendi nuk i publikon të dhënat e votimit të deputetëve, gjë që cenon transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut.

Raporti për Kosovën kërkon nga Kuvendi të ushtrojë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur qeverinë dhe institucionet e tjera të japin llogari.

Në lidhje me reformat e Bashkimit Evropian, Kuvendi miratoi një sërë aktesh të rëndësishme legjislacioni, ndër të tjera ligji për deklarimin e pasurisë dhe financimin e partive politike, ka theksuar tutje ky raport.

Gjatë periudhës raportuese, Kuvendi ka miratuar 77 ligje, 27 prej të cilave kanë të bëjnë me ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.