Oliver Varhelyi dhe Besnik Bislimi

Komisioneri Varhelyi takohet me Bislimin në Bruksel

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi në Bruksel ka takuar zëvendëskryeministrin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimin.

Varhelyi përmes një postimi në Twitter treguar se çfarë kanë biseduar më Bislimin.

“Fillimi i ditës me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi duke diskutuar agjendën e reformës së BE-së dhe detyrat përpara nesh dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Prishtinë- Beograd të jetë i suksesshëm” – ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të hënën ka udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi i ndërmjetësuar nga BE, ka filluar sot në ora 9:00.

Deri më tani nuk ka ndonjë deklarim nga palët për mbarëvajtjen e takimit.

Siç është paralajmëruar palët pritet të diskutojnë për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Sot në Bruksel pritet të takohen Bislimi dhe Petkoviq