Foto: Parlamenti Europian, Screenshot

Komisioneri europian për sulmin në Banjskë: Shqetësuese retorika e Beogradit dhe shpallja e zisë

Komisioneri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë ka thënë se retorika e Beogradit është tejet shqetësuese.

Ai ka thënë se ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është tejet serioze.

Sipas tij, është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën.

“Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për shtendosjen e situatës”- ka thënë ai.

Në debatin që u mbajt në Parlamentin Europian lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ai ka shtuar se BE-ja po ndjek nga afër hetimet në vijim dhe pret që kryesit të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht.

Lenarçiq tutje ka thënë se BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që të angazhohen në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme në veri.

“Jemi të shqetësuar për grupimin ushtarak në jug të Serbisë. Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve në veri të Kosovës mbetet qenësore për të ndihmuar në shtensionim. BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që të angazhohen në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme në veri”.

Komisioneri ka theksuar se përshkallëzimi i mëtejmë do të ketë ndikim negativ në rrugëtimin europian të dy vendeve.

Parlamenti Europian ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.