Koalicioni Nisma-AKR-PD tërheq vëzhguesit nga QNR

Koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr sonte vëzhguesit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Ky koalicion e ka ndërmarrë këtë veprim në shenjë proteste ndaj tentimit për fillimin e numërimit të votave të ardhura nga Serbia.

“Sipas informacioneve që kemi, në këto momente po tentohet të fillojë  numërimi i votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia dhe të cilat janë në kundërshtim me ligjin zgjedhor, i cili precizon qartë modalitetet se si duhet të zhvillohet procedura e votimit me postë. Ne jemi këtu për të tërhequr të gjithë vëzhguesit e koalicionit tonë sepse nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e e një procesi i cili po tentohet të fillojë për numërimin e votave të cilat konsiderohen dhe janë të jashtëligjshme dhe të cilat kanë ardhur në rrugë ilegale, të cilat për qëllim kanë dëmtimin e procesit zgjedhor”, tha zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Skënder Reçica.

Ai i ka bërë thirrje KQZ-së që ta ndalë këtë proces, i cili, sipas tij, e dëmton vullnetin e mbi 40 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë votuar për koalicionin Nisma-AKR-PD.

“Kërkojmë nga KQZ që në bazë të mandatit kushtetues t’i ndërmarrë të gjitha veprimet, të mos hesht, sepse këtu po tentohet të cenohet demokracia, vullneti i iqytetarëve tashmë të deklaruar më 6 tetor. Kushdo që do të tentojë të kontrabandojë vullnetin politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk ka dyshim se nuk do të ballafaqohet me ligjin”, theksoi ai.