Koalicion i mundshëm PDK-LVV, Krasniqi: As që është në horizont

“Nuk është as në horizont”, një koalicion i mundshëm mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një konferencë për media të mërkurën (29.05.2024).

Ai tha se janë në garë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kjo temë as që është në horizont. Ne jemi në garë me i fituar zgjedhjet, ne nuk jemi në garë me qenë partia më  e madhe opozitare, se kjo jemi. Ne jemi në garë me e bë Bedri Hamzën kryeministër, me iu ofruar qytetarëve një program që i adreson brengat, kërkesat dhe nevojat e tyre”- tha ai, pas pyetjes së gazetares se “A do t’i thonit jo bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen?”

Krasniqi tha se “është zbavitur nga interpretimet” se në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, njëherësh kryetarin e LVV-së, Albin Kurti kanë folur për mundësinë e një koalicioni për qeverisje.

“Për sa i përket spekulimeve, interpretimeve, të ju them kështu krejtësisht sinqerisht, unë kam qenë edhe i zbavitur këto ditë nga mënyra e interpretimeve të jashtëzakonshme imagjinare dhe imagjinatave të kujtdo qoftë për sa i përket mundësisë së koalicionit ndërmjet nesh e Vetëvendosjes, të arritur për dy orë takim.”

“Nuk munden dy orë takim me e tejkalu hendekun e gati dy dekadave, për çka është thirrë ai takim ju e dini, mos t’i harrojmë gjërat, është thirrur për agjendë legjislative. Agjenda e PDK-së kanë qenë zgjedhjet e parakohshme. Kjo është agjenda që e ka definuar dhe dominuar debatin së paku deri sot” – tha ai.

Sipas Krasniqit “asgjë as të fshehtë, e as të panjohur” nuk ka pasur nga ky takim.

Në anën tjetër, të mërkurën (29.05.2024), nënkryetari Vetëvendosjes, njëherësh kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Glauk Konjufca mohoi të ketë një “vardisje” të partisë së tij për një koalicion të mundshëm me PDK-në.

“Jo, unë mendoj që e keni përdorë një shprehje  të paqëlluar, hiç as me thonjëza, e as pa thonjëza. Thjesht, unë mendoj që kjo çka ka ndodhë dhe darka të cilën e keni parë do duhet të ishte një kulturë elementare e skenës politike në Kosovë. Më vjen keq që nuk u realizua edhe me të tjerët”- tha Konjufca para gazetarëve në pyetjen se “A ka vardisje [të LVV-së] te PDK-ja për koalicion të ardhshëm?”

PDK-ja kishte propozuar datat 30.06.2024 ose 07.07.2024 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje nëse koordinohet opozita, por jo që qeveria të dorëhiqet.