KMDLNj:Pengimi për votë shkel të drejtat e njeriut

Këshilli për të Drejtat dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që mos të pengohet asnjë votues me të drejtë vote e kryesisht mërgimtarët në të kundërtën shkelen të drejtat e njeriut.

“Votues të shumtë, kryesisht nga diaspora i janë drejtuar KMDLNj –së , të shqetësuar se nuk janë thirrur me telefon për verifikim dhe, në këtë mënyrë dyshojnë se me votat e tyre mund të maipulohet sikur që po iu mohohet një e drejtë ligjore dhe e drejtë e njeriut, për të votuar dhe për t’u votuar” ka shkruar Këshilli në një reagim.

Sipas KMDLNj-së, pas kësaj, KQZ  ka dhënë një sqarim se askujt,  me të drejtë vote nuk do t’i mohohet kjo e drejtë në ndërkohë që reagimet kanë vazhduar, sidomos pas fluksit nga diaspora që kanë ardhur për të votuar e që nuk kanë votuar me postë. 

“KMDLNj  mendon dhe kërkon që të eliminohet çdo pengesë për votuesit nga diaspora në mënyrë që ata të votojnë madje, KMDLNj kërkon që të krijohen rrethana të përshtatshme dhe lehtësira tjera  që do të sigurohen kushte për votim të shpejtë dhe të papengueshëm për votuesit, në përgjithësi dhe atyre nga diaspora, në veçanti” sghkrua KMDLNj.

Sipas tyre, pikërisht në këto rrethana duhet të zbatohet parimi i diskriminimit pozitiv për diasporen dhe të gjithë ata që kanë qasje të vështirësuar drejt kutive të votimit në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet.

KMDLNj ka shkruar se e sheh me shqetësim të madh mënyrën e komunikimit që bëhet midis anëtarëve të KQZ-së, fyerjeve, akuzave deri te përdorimi i fjalorit që sipas tyre  nuk do të duhej të ishte drejtuar opinionit por se ato duhet të adresohen te organet e hetuesisë. 

Bazuar në reagim ata kanë thënë se hetuesia duhet të merret me ato akuza që i cilësojnë si eksplicite, të drejtpërdrejta dhe shumë të rënda.

“Nëse kryetaren e KQZ-së botërisht e akuzoni se është pjesë e krimit të organizuar, se e ka uzurpuar KQZ-në dhe se është nismëtare e vjedhjes industriale të votave që 11 vjet, çka të pritet pas kësaj! Me këtë rast duhet të zbardhet e vërteta dhe këtë mund dhe duhet ta bëjnë organet a autorizuara për këtë” thuhet në njoftim.

Këshilli ka ftuar të gjithë monitoruesit, vendorë dhe ndërkombëtarë të regjistrojnë dhe denoncojnë çdo rast kur dikujt i mohohet e drejta për votë e sidomos votuesve nga diaspora meqë ata kanë shfaqur shqetësim për pasigurinë e votës së tyre.

Ndërsa në lidhje me testin anticovid për mërgimtarët, KMDLNj ka kundërshtuar që testi anticovid, kryesisht për votues nga diaspora të jetë pengesë për votim dhe, në këtë kontekst kërkon nga institucionet e shtetit që në të gjitha pikat kufitare të krijohet mundësia, me shpenzime të shtetit, të bëhet aty për aty ky test dhe, nëse dikush del të jetë pozitiv mund të votojë sipas procedures së paraparë për të prekurit me Covid -19.