KMDLNj reagon pas ‘përplasjeve’ për varrimin e gruas së moshuar serbe

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas ‘përplasjeve’ të bëra mes Komunës së Prishtinës dhe mediave në Graçanicë për varrimin e një gruaje serbe e cila po qëndronte në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë.

Sipas KMDLNj-së, i gjithë rasti ka ndodhur për shkak që Komuna nuk ka biseduar me Kishën Ortodokse Serbe.

“Komuna e Prishtinës është dashur menjëherë ta lajmërojë personelin e Kishës Ortodokse serbe në Prishtinë dhe t’i lë në përgjegjësi organizimin e varrimit. E tërë kjo mosmarrëveshje ishte për shkakun se ka munguar komunikimi i komunës së Prishtinës me Kishën ortodokse serbe”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim KMDLNj ka theksuar se janë të papranueshme tendencat për politizimin e rastit.

“Në fund doli se rezidenti që ndërroi jetë në Shtëpinë e Pleqve u varros sipas riteve fetare ortodokse , me prift ortodoks andaj për KMDLNj ishte dhe është i paskrupullt çdo përpjekje për manipulim me një të vdekur sikur edhe politizim të këtij rasti . KMDLNj fuqishëm kundërshton këto përpjekje për manipulim e që e konsideron edhe shkelje të privatësisë duke kërkuar që në rastet e ngjashme të tregojnë maturi”, thuhet tutje aty.

Të shtunën Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte bërë një postim në Facebook ku ka  bërë të ditur se viktima ishte e vetme dhe nuk kishte asnjë të afërm.

Ahmeti ka thënë se në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës është organizuar varrimi i të ndjerës.

“Së bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falenderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishëm”, ka shkruar Ahmeti.

Megjithatë, pas këtij publikimi ka pasur reagime duke përfshirë një artikull në portalin “Graçanica Online”në të cilin thuhet se varrimi i të ndjerës është bërë me organizim privat nga një asambliste e komunës dhe disa qytetarë, te varrezat ortodokse.

Pas kësaj, ka reaguar edhe vetë Shpend Ahmeti duke pranuar se në fakt Bashkësia Islame ka bërë vetëm transportin dhe jo varrimin.

“Pash reagime nga ëebfaqe serbe! Ky është reagimi im i fundit në lidhje me këtë nga respekti për qytetaren R.Z. të ndjerë e cila nuk meriton përmendje të tillë pas vdekjes.Nuk është varrimi kredit për askënd, e as akuzë për dikënd. As nuk është garë. Shtëpia e Pleqeve e ka thirrë BIK-un dhe ata neve, pastaj ne e kemi thirrë komunën e Graçanicës ku personalisht është marr një zyrtare por si qytetare”, ka njoftuar Ahmeti.

Mediat në Graçanicë i reagojnë Shpend Ahmetin lidhur me varrimin e gruas serbe