Ilustrim

Klinika e Pediatrisë del me sqarim për vdekjen e dyshimtë të 9-vjeçares

Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka dalë me sqarim për vdekjen e 9-vjeçares gjatë ditës së mërkurë.

Sipas tyre, 9-vjeçarja fillimisht kishte rezultuar pozitive me COVID-19.

“Pas ekzaminimeve shtesë vërtetohet se fëmija ka sëmundje të rëndë akute dhe për këtë njoftohen prindërit. Më pëlqimin, aprovimin dhe nënshkrimin e prindërve, fëmija fillon terapinë dhe trajtimin e nevojshëm”, theksohet në njoftimin e tyre.

Klinika e Pediatrisë ka sqaruar se nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e 9-vjeçares.

“Për çdo veprim, analizë, procedurë diagnostike dhe fillimin e terapisë për sëmundjen e rëndë akute janë njoftuar prindërit, është marrë pëlqimi dhe nënshkrimi i tyre”, kanë shtuar më tej.

Në sqarimin e tyre theksohet se Klinika e Pediatrisë do të ofrojë gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për hulumtimin e rastit nga organet kompetente.

Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimin për vdekjen e dyshimtë të 9-vjeçares në QKUK.

“Rreth orës 19:00, është pranuar informata për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në një nga klinikat e QKUK –së në Prishtinë. Pas marrjes së kësaj informate, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar se; viktima, 9 vjeç, femër, shtetase Kosovare, në rrethana që aktualisht po trajtohen nga ana e policisë ka humbur jetën”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.