Ilustrim

Klinë: Babai rrëfen se si lajmet e rreme ia shpallën të vdekur djalin 8 vjeçar

Përderisa bota po përballet me virusin COVID-19 dhe pasojat që po shkakton pandemia në ekonomi, njerëzit po keqpërdoren edhe nga rrjetet sociale, duke lëshuar ‘fake news’ deri në atë masë sa duke i shpallur njerëzit të vdekur.

Një rast jo i zakonshëm i ka ndodhur qytetarit Ragip Gashi nga komuna e Klinës.

Djalit të tij 8 vjeçar i është shfaqur sëmundja e kancerit në shtator të vitit 2019.

Pas shumë mundimeve dhe kërkesave, Gashi e dërgon djalin e tij në Turqi, për trajtim.

“Fillimisht e kam dërguar në Beograd, por atje mi kërkuan 200 mijë euro dhe unë ato para nuk i kisha. Pas ndihmesave nga qytetarë të ndryshëm, arrita me i grumbullu paratë dhe e kam dërgu djalin për trajtim në Turqi”, rrëfen Gashi për KALLXO.com.

Sipas tij, shfaqja e virusit dhe përhapja e tij nëpër botë, e ka gjetur atë në Turqi.

Në muajin prill kur është përhapë virusi edhe në Kosovë, Gashi thotë se portale të ndryshme të paidentifikuara se kush qëndron pas, ia kanë keqpërdorur fotografinë e djalit të tij të shtrirë në spital, duke shkruar se ‘një 5 vjeçar ka vdekur nga virusi’.

“Më kanë thirr plotë njerëz në telefon, duke me pyetur dhe ngushëlluar për djalin. Kur jam kthyer në Kosovë kanë ardhur njerëz edhe në shtëpi, duke më ngushëlluar e duke menduar se djali im ka vdekur”, thotë Gashi.

Ai thotë se djali i tij gati është shëruar nga sëmundja e kancerit, ndërsa e ka edhe një kontrollë në muajin shtator në Turqi.

Sipas tij, ky ‘fake news’ i lëshuar në rrjete sociale i ka shkaktuar atij dhe familjes trauma psiqike, sepse gjatë gjithë kësaj kohe djali ishte duke u trajtuar nga kjo sëmundje e rëndë.

Gashi thotë se do ta paraqes rastin në polici dhe shpreson se policia do të marrë masa ndaj këtyre portaleve që shpërndajnë ‘fake news’.

“Do ta paraqes rastin në polici edhe shpresoj që policia ka me marrë masa. Ka qenë një presion psiqik dhe e përballueshme për ne si familje, përderisa e kemi pas djalin në trajtim, kemi parë lajme se djali ka vdekur”.

Lajmet e rreme kanë filluar të marrin hov sidomos tash gjatë pandemisë, pasi kërkesa për tu informuar rreth virusit COVID-19 është rritur dukshëm

Eksperti i krimeve kibernetike, Driart Elshani, thotë se fenomeni i lajmeve të rreme ka shënuar rritje në kohën e pandemisë së virusit COVID-19.

Në një intervistë për KALLXO.com, në muajin prill Elshani kishte thënë se përmes rrjeteve sociale ndodh më së shumti shpërndarja e lajmeve të pa verifikuara.

“Në hapësirën kibernetike janë shumë forma për shpërndarjen e lajmeve të rreme. Roli i rrjeteve sociale sot është jashtëzakonisht i madh për shpërndarjen e këtyre lajmeve të rreme dhe për konsumimin e tyre. Pastaj, uebi si platformë për shpërndarjen e lajmeve të rreme, mund të krijohen uebsajte të ndryshme  duke pretenduar se janë media serioze e që në fakt nuk janë”, kishte thënë ai.

Në Organizatën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë vlerësojnë se që nga ashpërsimi i masave nga Qeveria e Kosovës në luftën kundër coronavirusit janë shtuar lajmet e rreme.

Drejtuesi i kësaj organizate, Mentor Hoxhaj, për Radio Evropa e Lirë kishte thënë se lajmet e rreme janë duke u shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për rritjen e audiencës në faqet e tyre si dhe me qëllime të përfitimit.

“Kemi media të ndryshme të cilat për qëllime të rritjes së ndjekësve, për qëllime të pëlqimeve dhe shpërndarjeve tentojnë të jenë me të pranishme me lajme bombastike. Në kuadër të kësaj hyjnë dy lajmet kryesore, si lajmi që ka të bëjë me gjetjen e ilaçit për coronavirusin. Ky ka qenë një lajm në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë prezent në versione të ndryshme si dhe lajmi për barërat e tjera që ndikojnë pozitivisht në luftimin e virusit”, tha Hoxhaj.

Pre e lajmeve të rreme sipas Hoxhajt janë duke rënë qytetarët në mbarë botën

Në anën tjetër, gjigandët e rrjeteve sociale si ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’ po mundohen që t’i luftojnë lajmet e rreme dhe dezinformatat, sidomos ato për virusin COVID-19.

Në korrik të këtij viti, ‘Twitter’ ia kishte ‘kufizuar’ përdorimin e rrjetit, djalit të presidentit amerikan Donald Trump, pasi ai kishte publikuar një video, që kishte rënë në ndesh me politikat e kompanisë për dezinformatat në lidhje me COVID-19.

Ndërsa ‘Facebook’ ka krijuar një hapësirë të veçantë për informatat e besueshme për COVID-19 dhe në këtë hapsirë të shfaqen vetëm institucionet zyrtare të shëndetësisë si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse vendore.

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.