Neo_School. Foto: FAcebook/Kino ARMATA

Kino ARMATA fillon në shtator shkollën joformale për prodhimin e filmave të shkurtë

Kino ARMATA në Prishtinë do të nisë në shtator serinë e projekteve edukative me ‘Neo_School’, shkollën joformale një mujore për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë.

Kino ARMATA njofton se mes datave 14 shtator – 16 tetor 2020, gjashtë kandidatët e zgjedhur do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios, etj., nga liderët në fushat e filmit dhe hulumtimit.

“Pas punës intenzive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës do të prodhojë nga një film të shkurtë dokumentar 3-5 minutësh. Ata do të sfidohen personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet tjera të procesit të filmbërjes”, thuhet në njoftim.

Krijimi i platformës së edukimit në Kino ARMATA, sipas këtij njoftimi, është vazhdim i logjikshëm i punës dyvjeçare të këtij institucioni në ndërtimin e bazës kreative për krijues, artistë, punëtorë kulturor, etj.

“Me ndihmën e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Kino ARMATA është pajisur me kamera, audio pajisje, njësi montazhi, etj. që do t’i mundësojnë të gjithë pjesëmarrësve të ‘Neo_School’ realizim teknik të filmit të tyre pa asnjë kërkesë shtesë. Ligjëruesit e ‘Neo_School’ janë liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit do të marrin udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium filmik”, thuhet më tej në njoftimin e Kino ARMATA-s.

Sipas njoftimit, gjatë dy javëve të para, pjesëmarrësit e ‘Neo­_School’ do të dëgjojnë ligjërata mbi mënyrën e krijimit të narracionit dhe zhvillimit të skenarit, hulumtimin dhe aspektin gazetaresk të filmit dokumentar, regjinë, punën me kamerë, montazhin, audio incizimin, si dhe aspektet e ndryshme të produksionit.

Kurse në tri javët e fundit pjesëmarrësit do t’i realizojnë idetë e tyre nën mentorimin e stafit të Kino ARMATA, përfshirë punën e drejtëpërdrejtë në teren me kamerë, audio pajisje, si dhe më vonë në montazh filmik dhe zhvillim të muzikës.

Në fund të këtij cikli pesë-javor do të bëhet prezentimi i filmave dhe ndarja e përvojave nga ky proces.

“Edhe pse parimisht njohja bazike e teknikave të filmbërjes është e mirëseardhur, çdokush që ka aftësi narracioni dhe që mendon se mund ta shndërroj idenë e saj/tij në dokumentar të shkurtë mund të aplikoj. Nuk ka kufizime moshe, përgatitje akademike, ose profesioni, por aplikantët duhet të jenë të gatshëm për punë intenzive ekipore. Orari i ligjëratave dhe prodhimit të filmit do të aranzhohet pas krijimit të grupit 6-anëtarësh”, potencohet në njoftim.

Aplikantët duhet që deri më 8 shtator 2020 ta plotësojnë formën e aplikimit për Neo_School në këtë link 

“Neo_School” përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës.