Kim Mehmeti. Foto: Kallxo.com

Kim Mehmeti: PDK-ja është më e mirë se LDK-ja

Analisti dhe shkrimtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është më e mirë sesa Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, Qeveria në detyrë që u rrëzua nga lideri i koalicionit, LDK do të funksiononte më mirë me PDK-në.

Në një intervistë në “Jeta në Kosovë”, Mehmeti  tha se anëtarët e PDK-së janë më të sinqertë.

“E kam thënë dhe do e përsëris, nuk ka asnjëfarë dallimi se a do bësh qeveri me PDK-në apo me LDK-në, bile e kam thënë që më mirë është të bësh qeveri me PDK-në sepse ata janë më të sinqertë në gjithë konceptin e vet sesa këta me mendësinë e djeshme, të cilët të vrasin natën e të vajtojnë ditën”, tha Mehmeti.

“Ka një dallim, ai i PDK-së të shan haptas, të kritikon haptas e nuk të donë haptas,  këta (LDK), jo, këta nuk të duan, tërë kohën ta punojnë të keqen por këtë e kupton kur të përfundojë loja”, ka thënë shkrimtari shqiptar”, tha Mehmeti.

Ai dha edhe arsye të tjera se pse sipas tij, PDK-ja është më e mirë se LDK-ja.

“LDK-ja me asgjë s’është më mëkatare se PDK-ja sepse ata gjithë kanë qeverisë dhe ata njerëz janë mësuar dhe në emër të kësaj bëhen bashkë me djallin vetëm të qeverisin dhe kështu, për një shall janë më të mirë ata të PDK-së sipas meje”, ka vlerësuar analisti Kim Mehmeti.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë me Kim Mehmetin në video dhe të transkriptuar.

KALLXO.com: Z. Mehmeti, Maqedonia dhe Serbia i kanë shtyrë zgjedhjet ndërsa në Kosovë po kërkojnë me e rrëzu qeverinë në kohë të pandemisë, si i keni lexuar këto zhvillimet e fundit në Kosovë?

Kim Mehmeti, shkrimtar-publicist: Këto edhe po t’i lexosh në ndonjë roman do të thuash që i ka trilluar ndonjë shkrimtar i çmendur e jo ndonjë kështu që ka lidhje me racionalen. Të merresh me politikë sot në këto rrethana do të thotë se o nuk ke lidhje se ç’ është politika o je ndonjë politikan hajdut që të pëlqen tollovia të pëlqen kohët kur qytetarët e ty nuk mund të dalin as në rrugë që të mbrohen, që ti te realizosh ndonjë koncept tëndin, shkurt e shqip thash kjo është në kufi të pa besueshmes mirëpo siç duket neve shqiptarëve na ndodhin gjithmonë të pabesueshmet, ne nuk mund të merremi me racionalen dhe andej unë i uroj Kosovës që të dal sa më lehtë nga kjo pandemi mirëpo i uroj edhe diçka tjetër që ne shqiptarët njëherë e përgjithmonë përpos që të kërkojmë ilaçe për sëmundje të tjera të kërkojmë ilaçe edhe për harresën tonë se ne jemi popull shumë harrimtar. Ne sa e kalojmë një të keqe menjëherë e harrojmë atë dhe futemi në të keqën tjetër dhe prandaj ne shkojmë nga e keqja në të keqe sepse ne edhe të keqën e krahasojmë me më të keqën që mund të na ndodh dhe jo me më të mirën prandaj uroj kosovarëve që pasi që të dalin të gjithë shëndosh e mirë nga kjo pandemi të mos të harrojnë kurrë këtë kush e bëri dhe si e bëri sepse sikur kryeministri i Kosovës të jetë edhe 1000 herë më i keq se siç thotë ai kryetari me bastun i LDK-së është jo e njerëzishme, jo që është jo politike, por është jo e njerëzishme që në këto rrethana t’i të merresh me atë se kush është kryeministër, kush s’është. Shihni, thash kjo është letërsi, kjo nuk mund të jetë diçka racionale.

KALLXO.com : Z. Mehmeti të kthehemi te arsyet që i kanë dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës, ata kanë përmendur marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave Serbe dhe të Bosnjës, a ka ardhur koha që të hiqet tarifa ndaj mallrave?

Kim Mehmeti: Politikani kosovar, Politikani shqiptar duhet të matet nëpërmjet asaj se cilat janë marrëdhëniet e tij me popullin e vetë, cilat është përgjegjësia e tij ndaj popullit të vetë se ne s’mund ta shpëtojmë Amerikën as që Amerika lodhet gjithë aq për ne se a jemi ne më shumë amerikan apo më pak pro amerikan, as që mendon, është problemi unë që ne lodhemi e mendojmë se kur qohet në mëngjes Trumpi dhe pyetjen e parë që ua shtron bashkëpunëtoreve të vetë është se si e kanë punën shqiptarët, nuk është kështu ne jemi një pikë në hartën e botës një pikë e pa rëndësishme që herë duket e herë zhduket andaj shqiptaria dhe politikani shqiptar duhet të matet me atë sa është ai përgjegjës dhe i përgjegjshëm ndaj popullit të vetë. Po çka i duhen Amerikës këta hajdutet tanë, po çka i duhet pro amerikanizmi i janë gjarpëror, çka i duhet, çka na duhet edhe neve ai pro amerikanizëm. Shihni nuk ka nevojë shqiptaria për pro amerikanizëm që e mbulon hajdutërinë që e mbulon papërgjegjësinë, të gjithë politikanët tonë sa herë që zihen ngushtë me diçka, thonë ti je anti amerikanë e unë jam pro amerikan, unë nuk e di kur ka qenë vlerë amerikane korrupsioni, kur ka qenë vlerë amerikane jo toleranca, kur ka qenë vlerë amerikane nëntoka politike, andaj nëse ka në Kosovë, nëse ka në shqiptari antiamerikanizëm, antiamerikan më të mëdhenj janë politikanët që e mbrojnë miqësinë shqiptaro-amerikane sepse miqësia shqiptaro-amerikane nuk mbrohet ashtu, nuk mbrohet me fjalë, mbrohet me vepra kur ti kontribuon për shtetin tënd kur ti kontribuon, kur ti bënë për popullin tënd, kur ti je i ndershëm, kur ti nuk e mbulon me flamurin amerikan atë fytyrën tënde të shëmtuar politike dhe nuk e mbulon të kaluarën tënde politike, andaj kujdesuni edhe ruhuni prej këtyre politikanëve tanë që janë shumë pro amerikanë.

KALLXO.com: Në fakt debati që bëhet gjatë këtyre ditëve është që është një presion i vazhdueshëm ndaj qeverisë së re për heqjen e taksës ndërkohë që kur ka pasur afera korruptive nuk është që ka pasur edhe shumë zë ose kundërshtime, si shihni këto, që është fokusi kryesor vetëm tek një çështje te tarifa 100%?

Kim Mehmeti: Shpesh herë, tash edhe unë e kam thënë publikisht do ta përsërisë gjithmonë, këtu ka mëkat edhe perëndimi sepse perëndimi kërkon të ndërtoj demokracinë me hajdutët tanë, perëndimi kërkon ta s’forcoj miqësinë shqiptaro-serbe ta zamë me Vuçiçin që është që ka plotë elemente që mund ta futesh në grupin e krimineleve Serbë dhe këtu me presidentin e Kosovës për të cilin gjithashtu fliten gjana të cilat nuk i ka hije të fliten për një president apo siç sillet në Kosovë thuaja është pronar i atij, atë stilin siç thuhet dikur për Rusët pas luftës së dytë botërore që ka thënë unë të çlirova unë tashti të bëjë edhe ato punët që s’bëhen dhe derisa është kështu ka një të vërtetë. Shumë qarqeve perëndimore më shumë u përshtatet  politikanët e këtillë politikanët që u frikësohen të vërtetës për të kaluarën e vetë që kanë shumë mëkate dhe janë shumë të n ‘dëgjueshëm dhe atyre çka tu propozosh ata pajtohen, atyre edhe po tu thuhet po ta marrim pavarësinë ata thonë mirë vetëm më shpëto mua, kjo është e vërtetë këtu nuk duhet edhe shumë që të jesh i mençur që këtë ta kuptosh sepse ti e sheh se me cilët ndërtohet demokraci me cilët ndërtohet paqe në këtë Ballkan, ndërtohet edhe me njerëzit të cilët u bënë paqësor se i humbën luftërat. Vuçuçi u bë paqësor se Shesheli i humbi luftërat, ai nuk u bë paqësor se ishte ndonjë ide paqedashëse, ai e do miqësinë shqiptaro-serbe që t’i shpërlaj mëkatet edhe a guxon këtë ndonjë shtetas i Kosovës të ja lejojë atë që t’i shpërlaj mëkatet ndaj shqiptarëve duke bërë tregi me Kosovë.

Valon Fana: Sot kryetari i LDK-së i ka shkruar Z. Kurti dhe i ka kërkuar që ta anulojë vendimin për shkarkimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, gjithashtu i kërkoi që t’i kërkoj falje LDK-së dhe ta heq në një afat shumë të shkurtër edhe tarifën ndaj mallrave serbe, a duhet t’i pranoj këto kërkesa kryeministri Kurti?

Kim Mehmeti: Po, pasi që kryetari i LDK-së t’i kërkoj falje popullit të Kosovës për këtë që e bëri dje dhe sot, për këtë situatë që e ka krijuar ai, që e kanë krijuar drejtuesit e partisë së tij, d.m.th. pasi që ata t’i kërkojnë falje populli të Kosovës për këtë që e bënë këto ditë, për këtë shqetësim në situatë të pandemisë ata do të kenë ndoshta të drejtë morale dhe kanë ndonjë qejf që të kërkojnë ndoshta falje, mirëpo tani për tani, falje popullit të Kosovës duhet t’i kërkojnë këta që dolën në skrofullën e gjarprit.

KALLXO.com: Ju besoni që, në fakt cila do të ishte formula që me e shmang krizën e mundshme, d.m.th. mos rrëzimin e qeverisë së re e cila nuk ka 40 e disa ditë që është?

Kim Mehmeti: Unë nuk i çmoj shumë ata njerëzit që gjithmonë thonë unë kam thanë, unë kam thanë, mirëpo në këtë rast do të shkel një parmit timin dhe do të them, e kam thënë dhe këtu ekzistojnë të dhëna publike, qysh para se të formohet kjo qeveri e kam thënë se kjo qeveri nuk do të funksionoj dhe këtu është fajtore edhe Vetëvendosja, sepse e kam thënë e do e përsërisë, nuk ka asnjëfarë dallimi a do të bësh qeveri me PDK-në apo me LDK-në, bilës e kam thënë që më mirë është të bësh qeveri me PDK-në sepse ata janë më të sinqertë me gjithë konceptin e vetë, se sa këta me mendësinë e djeshme që të vrasin natën e të vajtojnë ditën, sepse ka një dallim, ai i PDK-së të shanë haptas e të kritikon haptazi, ai nuk të do haptazi mirëpo këta jo, këta nuk të duan, këta tërë kohën ta punojnë të keqën mirëpo t’i atë e kupton kur përfundon loja, edhe andaj unë e kam thënë që kjo qeveri nuk do të funksionojë as aq sa po të bënte Vetëvendosja koalicion qeverisës me PDK-në. Tani normalisht që ti si vëzhgues nga jashtë e ke lehtë të thuash mirëpo unë prandaj jam këtu sikur të kisha ambicie të tjera nuk do të isha këtu edhe unë do të gënjeja, do manipuloja, unë e them atë që është e vërtetë. E vërteta është kjo që LDK-ja me asgjë s’është më mëkatare se PDK-ja sepse ajo gjithë ka qeverisë dhe ata njerëz janë mësuar dhe në emër të kësaj ato bëhen bashkë edhe me djallin vetëm të qeverisin dhe kështu bile për një shkallë janë më të mirë ata të PDK-së, sipas meje.

KALLXO.com: Dhe në fund është fol që, është kërkuar që të arrihet marrëveshja me Serbinë në një kohë sa më të shpjete, a besoni që mund të ketë një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij vit?

Kim Mehmeti: Kosova kurdo qoftë duhet ta arrij një marrëveshje me Serbinë dhe Kosovën, është e pamundur që me fqinjin tuaj ju gjithmonë të jeni në armiqësi, por Kosova tashti duhet të arrij marrëveshje me vetë vetën, Kosova duhet të arrij marrëveshje me pjesët e tjera të shqiptarisë, kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është me asgjë më i kalueshëm se ai me Serbinë. Mos pajtimet në mes partiakeve shqiptar në Kosovë nuk janë me asgjë më të vogla sesa ato me Serbinë, bilës nëse shihni ju presidenti i Kosovës me mburrje kontakton me Vuçuçin edhe ndjehet mirë, shihet që ndjehet mirë, mirëpo ai ndjehet shumë keq kur kontakton me kryetarin e vetëvendosjes dhe këto janë gjëra abnormale e s’mundesh në një situatë të tillë abnormale ku brenda vetvetes brenda vëllazërisë tënde mbizotëron armiqësia ju të ndërtoni miqësi me të tjerët. Ç’më duhet mua miku im nëse unë kam hequr dorë nga vëllai im, ç’më duhet ajo miqësi. Kështu që ne duhet njëherë të përballemi me absurdet që i kemi në shtëpi, absurdi që e ka Kosova ky është se ajo nuk komunikon me vetveten, nuk keni komunikim politik ju në Kosovë andaj nuk dihet edhe kish tashti bisedon me Serbinë. Andej ai presidenti i Kosovës i ka marrë të gjitha në dorë, ulët atje i hap hartat, thotë korrigjim kufinjësh mandej thotë s’ka korrigjim kufinjësh, thotë vetëm do i marrim ne Serbisë dhe nuk i japim. D.m.th edhe nëse e keni ju një president të tillë gjeni që vetëm merr a nuk jep le të vazhdoj dhe duhet ta autorizoni që Serbisë nëse mundet deri në Nish të ja marrë territorin ama mos t’i jap kurgja sepse ai ashtu thotë, thotë nuk ka shkëmbim territoresh nuk ka kurgja por thjeshtë Serbia do të ulët dhe do të na pranoj sepse doli puna që edhe Serbia nuk e pranon Kosovën vetëm pse Kosova nuk do, a nga ana tjetër prej që kanë filluar këto bisedime mes presidentin tuaj dhe të Serbisë aq njohje u tërhoqën, u ndërpre procesi i njohjes, dhe ja si e ndihmojnë këta Amerikën, Amerika e cila intervistoi kaq shumë në njohjen e Kosovës, Presidenti i Kosovës me iniciativat e tij e bllokoi thuajse më njohjen sepse të gjithë tashti presin se çka do të ndodhë në këto bisedime, aq më shumë u tërhoqën aq njohje edhe vazhdon Serbia me fushatën e vetë për tërheqjen e njohjeve, a ju në Kosovë, Presidenti juaj vazhdon të angazhohet për miqësitë shqiptaro-serbe. Për të thënë shkurt e shqip për miqësinë e tij me Vuçuç.

KALLXO.com: Z. Kim Mehmeti faleminderit shumë për kohën dhe opinionet e shprehura.

Kim Mehmeti: S’ka përse, gjitha të mirat dhe dalshim mirë nga kjo situatë, gjithë shqiptaria.